
Falsifikimi i testeve të COVID dhe i pasaportave të vaksinimit është kthyer në një problem shqetësues në vendin tonë, në një kohë që sa vijnë dhe shtohen kategoritë për të cilat vaksina bëhet me detyrim.
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Durrës, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e falsifikimit të dokumenteve, si dhe të monitorimit të zbatimit të masave anticovid, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë në rrugë operative, për një kompani udhëtimi që falsifikonte testet e Covid-19, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Testet”.
Në kuadër të operacionit “Testet” u arrestua në flagrancë shtetasja A. R., 56 vjeçe, banuese në Durrës, pronare e një agjencie udhëtimi, e cila falsifikonte testet e Covid-19, në emër të një klinike në Tiranë.
Gjithashtu, në kuadër të operacionit, në bashkëpunim edhe me Policinë Kufitare në Portin e Durrësit, u kapën dhe u proceduan penalisht dy shtetas, të cilët tentuan të kalonin kufirin për në Itali, me teste të falsifikuara nga pronarja e agjencisë së udhëtimit.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore” dhe “Fshehja e të ardhurave”.



