Një sasi e konsiderueshme prej 1.5 ton drogë është sekuestruar nga policia malazeze në Ulqin.
Televizioni shtetëror i Malit të Zi informon se lënda narkotike është sekuestruar rreth orës 10:30 minuta të ditës së sotme rreth 8 milje larg bregut.
Ndërkohë, gazeta malazeze “Vijesti” bën me dije se të arrestuarit janë Benard Tahiraj 33-vjeç dhe Elton Çaushaj, 43-vjeç, të cilët janë të dyshuar si të përfshirë në trafikun e drogës.
“Rreth orës 11:00, rreth 8 milje nga Plazhi i Madh, në ujërat në drejtim të Italisë, njësiti kufitar detar i Tivarit ka kontrolluar anijen ‘Club Man 28’. Anija është drejtuar nga Tahiri dhe Çaushi. Pas kontrollit, anija është ankoruar në Plazhin e Vogël”, shkruan gazeta.
Lënda narkotike e llojit marijuanë ka shkuar nga Shqipëria, ndërsa ishte e ndarë në 78 pako, e vendosur në një skaf drejtuar nga dy shtetas shqiptar.
Sipas gazetës, pakot ishin me nga 20 kg secila.
Skafi ka zbarkuar në afërsi të Ulqinit pas një ndjekje të gjatë në det.
Gazeta shkruan se plani i shqiptarëve ishte trafiku i lëndës narkotike në drejtim të Italisë.



