Aktivistja Sevim Arbana, blogerja Tea Dupi dhe videografi Ivi Zhulla ndajnë mendimet e tyre për raportin nuse-vjehërr.
Në emisionin “Zgjohu me MCN”, ata u ndanë pro dhe kundër për jetesën e përbashkët.
Sevim Arbana: “Kam jetuar pesë vjet me vjehrrin dhe vjehrrën. Unë vija nga një familje që ishim tre motra dhe mamaja, pa baba. Kur kam hyrë ditën e parë, ka qenë tmerr. Në fejesë marrëdhëniet kanë qenë shumë të mira. Unë nuk jam ndjerë asnjëherë rehat, edhe pse ata ishin shumë të mirë. Në momentin që vëllai i burrit do të fejohej, vjehrri bëri një akt shumë të madh, mori gruan dhe kunatin dhe iku te shtëpia e gruas dhe na e la ne shtëpinë. Sot jam vjehërr, kam djalin dhe nusen. Por unë nuk e besoj kurrë se ajo do ishte e lumtur po të jetonte me mua.
Nuk e kam pasur të vështirë të shkëputem nga fëmijët se djali dhe vajza sa mbaruan gjimnazin ikën jashtë, e kishin ndërtuar jetën vetë. Dhe unë nuk e kam menduar kurrë që do jem në një shtëpi me ta. Ne jemi gjithmonë bashkë në festa dhe gëzime. Unë vjehrrën nuk e kam thirrur mami dhe as në emër. Vjehrrin evitoja që ta thërrisja babi, se jam rritur pa baba. Mami është një në botë, nuk ke pse të luash dhe të bësh teatër. Unë jam gjithmonë në krahë të nuses, e shoh si vajzën time”.
Tea Dupi: “Nusja është e re dhe i ka të gjitha planet me djalin, bota e saj në atë moment është ai, nuk futet familja e tij. Të jetuarit bashkë varet gjithmonë nga gjendja ekonomike. Nuk është çështja a do nusja të jetojë me vjehrrën, por vjehrra a do të jetojë me nusen?
Nëse janë kushtet ekonomike të mira, secili do rehatinë e vetë. E gjithë marrëdhënia më tej fillon nga vjehrra. Vjehrra e mirëpret nusen në hapat e parë, ndaj duhet të mos e shohë me xhelozi se është njeriu që po i bën të lumtur djalin”.
Ivi Zhulla: “Unë nuk e kam problem të jetoj nusja ime e ardhshëm me vjehrrën. Mua më pëlqen të jetoj me nënën time dhe nusen time në një shtëpi. Familja që do krijosh është më e rëndësishme se ajo që ke pasur. Ne çunat nënën nuk e zëvendësojmë dot.”



