
Një mot me alternime vranësirash dhe kthjellimesh, por me temperatura më komode, pritet gjatë javës.
Kështu ka parashikuar meteorologia Anira Gjoni nga IGJEUM për shikuesit e programit “MCN Live”.
Ditën e martë pritet të ketë reshje lokale shiu, kryesisht në Shkodër, Kukës, Dibër dhe Lezhë, ku gjatë mëngjesit janë parashikuar reshje të dobëta, ndërsa në qarqet e tjera, përfshirë Tiranën, do të ketë reshje të dobëta lokale pa shkaktuar probleme të mëdha.
Përsa i përket temperaturave, ato kanë nisur të ulen që nga e diela dhe do të vazhdojnë këtë trend gjatë javës.
Në ditët nga e mërkura deri të premten, temperaturat do të luhaten mes 30-33°C, ndërsa ditën e shtunë pritet një ulje prej rreth 3°C.
Për ditën e mërkurë, në bregdet minimalet do të jenë rreth 20°C, ndërsa maksimalet do të arrijnë 30°C.
Në zonat e ulëta, minimalet pritet të jenë 19°C dhe maksimalet 32°C, ndërsa në zonat malore, temperaturat minimale do të jenë 12°C dhe maksimale deri në 29°C.
Për pjesën tjetër të javës, temperaturat do të vazhdojnë të luhaten rreth vlerave 30-34°C, me temperatura më të ulëta në bregdet, rreth 31°C. Temperaturat minimale gjatë natës do të bien nën 20°C, duke ofruar kushte më komode dhe më të rehatshme për të kaluar natën.
Pra, kjo javë pritet të jetë me alternime vranësirash dhe kthjellimesh, por gjithashtu me temperatura të përballueshme për sezonin e verës.



