
Trajneri i Laçit, Shpëtim Duro, në një lidhje skype në emisionin “Skaner” në MCN TV, foli pas kualifikimit të Laçit, në turin e dytë në Conference League, pasi eliminuan malazezët e Iskra.
Duro deklaroi se lojtarët e tij kishin besim të madh te kualifikimi, edhe pas ndeshjes së parë që u mbyll në barazim pa gola. Gjithashtu ai shtoi se në Malin e Zi, ishte në ankth kur ndeshja ishte 1-0, pasi ky rezultat sipas tij nuk jep siguri.
Futbolli është gjithmonë ankth, sidomos te pjesa e trajnerit. Rezultati nuk ishte i sigurt. Vinim nga një barazim në fushën tonë dhe duhej një sforcim maksimal për të kaluar më tej dhe ia dolëm. Është një sukses kalimi i turit të parë. Kemi qenë favoritë dhe ishte detyrim kalimi i turit të parë, duke parë nivelin e skuadrave.
Nuk ka favoritë në futboll, pavarësisht nivelit të skuadrave. Kundërshtarin ende nuk e njohim mirë, por kam mendimin që shanset mund të jenë të barabarta. Është mundësi për të tentuar për të shkuar më lart.
Nuk mohohet pesha e Shehut dhe Deliut që u larguan. Ishin fizionomia e Laçit në sezonet e fundit. E kam thënë që kemi futbollistë të mirë. Ujka është një lojtar shumë i mirë që nuk e kemi njohur sezonin e fundit. Saphiu është një super talent. Kemi mungesë në numër 6. Dëmtimi i Qatos na prishi shumë punë. Edhe për atë, do të kishte më shumë hapësira këtë sezon. Kemi kërkuar shumë dhe nuk e kemi gjetur ende lojtarin e duhur. Kjo më bën që të tërheq Spahiun dhe Ujkën.
Dua të jem realist, që isha në ankth, sepse e dimë si është futbolli. Ndeshja 1-0 nuk ka asnjëherë garanci. Nëse do shënohej goli i dytë, do ishte çdo gjë e lehtë, megjithatë unë e komplimentoj skuadrën, për besimin që kishin pas ndeshjes, për kualifikimin. Guindo dhe Adeleke ta krijojnë gjithmonë mundësinë e shënimit. Pozitive është ajo që në dy ndeshje, kundërshtari nuk na krijoi raste. Në këto ndeshje është e rëndësishme që skuadra të jetë kompakte.
Partizani kishte mundësi për rezultat akoma më pozitiv në ndeshjen e parë. E dija që ndeshja e kthimit nuk do të ishte e lehtë për Partizanin. Normalisht që më vjen keq, sepse nuk ditën të administrojnë avantazhin.



