Kreu i opozitës Lulzim Basha, nga Shkodra ku ishte në një takim me të rinjtë, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për diferencime krahinore në investime dhe urrejtje patologjike për Veriun.
Kreu i opozitës deklaroi para simpatizantëve demokratë, se zotimet që bëri Rama për të ardhur në pushtet ishin të gjitha gënjeshtra dhe i vetmi plan i tij ishte të rriste taksat. Edhe ato investime infrastrukturore që gjeti i la përgjysmë.
“Kishte 16 miliardë euro që i ka harxhuar, s’mendoi për të rininë e Shkodrës e Shqipërisë. E trajtoi me urrejtje patologjike e politike Shkodrën e gjithë Veriun. Në 25 qershor do marrë fund diskriminimi krahinor, unë do jem kryeministri i gjithë shqiptarëve, nga Jugu në Veri”, premtoi Basha.
Ai u ndal edhe në përgjigje të Ramës dhe Metës, ku nuk ngurroi të përdorë dhe batutat. “Lëri batutat dollitë shakatë kunjat, tutat dhe përgjigju për bilancin para qytetarëve. S’më ka marrë malli të të shoh as me tuta as me rroba banjoje. Makthi im është të të shoh edhe 4 vite se çfarë je ne gjendje të bësh”. Nga ana tjetër ai pohoi me ironi se Rama e kishte bërë Shqipërinë kampione sa i takon kultivimit të hashashit.
“E kam nisur në Vaun e Dejës, ku pata një takim ne rininë. Kudo ku kam takuar njerëz, ku i kam parë në sy, kam prekur dhe kam ndjekur frymën e fitores totale në 25 qershor. Shkodra i ka paraprirë me fitore, kështu ka ndodhur 27 vite të ndryshimit rrënjësor. Bashkë e kemi thënë se ndryshimi nga Shkodra do të zbres e do hapet në gjithë Shqipërinë. Jam sot këtu i nderuar dhe mirënjohës për përkrahjen tuaj. Në këto 10 ditë kam qenë nga Saranda e në Tropojë dhe kam kuptuar që diçka po ndodh. Ky është zgjimi i qytetarëve që t’i japim fund republikës së politikanëve që kanë mbushur Shqipërinë me drogë. Pra fund i republikës së një grupi njerëzisht që i kanë shërbyer njerëzve të tyre, me Ilir Metën e Ramën. Edi Rama na ka bërë kampion për hashashin. Me ato kanë mbushur xhepat një grup kriminelësh që i rrinë përqark”, tha Basha.



