
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) ka reaguar zyrtarisht duke hedhur poshtë kategorikisht raportimet dhe aludimet e qarkulluara së fundmi, sipas të cilave sulmi me dron detar kundër një korvete ruse e ka pasur origjinën nga territori shqiptar.
Në një deklaratë për mediat, diplomacia shqiptare thekson se këto raportime janë plotësisht të pasakta dhe nuk pasqyrojnë faktet.
“Shqipëria nuk ka qenë e përfshirë në këtë incident dhe territori i saj nuk është përdorur, e as nuk është vënë në dispozicion, për nisjen apo lehtësimin e një sulmi të tillë”, thuhet në reagimin e Ministrisë.
Duke i cilësuar këto pretendime si të pabazuara dhe të paraqitura pa asnjë provë të verifikueshme, MEPJ u bën thirrje autorëve dhe platformave që i kanë përhapur ato të korrigjojnë menjëherë informacionin dhe të tregojnë përgjegjshmëri kur raportojnë mbi çështje kaq të ndjeshme të sigurisë.
