Filip Gjoka, kreu i Shoqatës së Industrisë së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike të Shqipërisë, tha në “Mcn Economy” se tarifa 10 për qind e vendosur nga SHBA-të për produktet e eksportuara nga Shqipëria, i ka vendosur në vështirës.
Gjoka thekson se nëse këto tarifa do të rriten edhe më tej deri në 200 për qind, sikurse është paralajmëruar, atëherë industria do të shkojë në greminë, pasi s’ka as mbështetjen e duhur për mbulimin e kostove.
“Volumi më i madh i eksporteve që ka Shqipëria në SHBA, një pjesë të madhe e zënë bimët mjekësore, është gati 43-45 për qind e volumit të industrisë sonë, shkon drejtpërdrejt në tregjet amerikane. Tarifa e vendosur tashmë që po aplikohet prej disa muajsh, prej 10 për qind, na ka vendosur në një farë vështirësie për arsye se e kemi pasur të pamundur që të kërkojmë rritje në sasinë e duhur të çmimeve për arsye të kostove, pasi kompanitë ku ne shesim thonë që kemi një kosto shtesë që s’e kemi pasur më parë. Kjo luftë që ka filluar këto ditë që mund t’ia çojë për disa produkte 200 për qind Europës, mendoj që Presidenti Trump s’e ka më Shqipërinë, ne s’jemi akoma vend i BE, që të na prekë drejtpërdrejtë, të paktën për industrinë tonë. Në rast se këto tarifa mund të prekin Shqipërinë, kjo duhet parë edhe në vijim, mbase do shihet edhe në takimin në Zvicër, inshallah s’do i mbushet mendja të prekë edhe Shqipërinë, pasi nëse do rriten tarifat industria jonë shkon në greminë, sepse s’ka pasur as mbështetjen e duhur për mbulimin e euros dhe dollarit dhe mbulimin e disa kostove që tashmë i kemi shumë më të larta”.



