Leku i fortë shkatërron eksportet dhe nxjerr mijëra të papunë

Leku i fortë shkatërron eksportet dhe nxjerr mijëra të papunë

Katër janë kategoritë që sjellin euro në Shqipëri: eksportuesit, kompanitë investitorë të huaja, turistët dhe emigrantët.

Në teori fortësia e një monedhe tregon jo vetëm zhvillim dhe fuqi ekonomike, por mirëqenie për qytetarët që vjen nga rritja ekonomike.

Ky nuk është rasti i Shqipërisë.

Gjithashtu nuk është as rasti që mbiçmimi i monedhës kombëtare ka shtuar të ardhurat për publikun dhe sektorin privat.

Nëse kjo do të kishte ndodhur, nuk do të kishte as ankesa.

Kemi analizuar se sa është efekti i bilancit tregtar në diferencën impor-eksporteve dhe efektin e remitancave për të parë se përse euro del këtë vit më shumë dhe na rezulton se një pjesë e madhe nuk justifikohet jo vetëm me atë që ka ndodhur në sektorët më të zhvilluar të ekonomisë, por dhe me atë që pritet në të ardhmen. Euro e tepërt dhe valutat e tjera të shtuara kanë ndikuar në një ekonomi të paqëndrueshme edhe për vijimësinë.” thotë eksperti i qendrës Altax Eduart Gjokutaj.

Në artimetikë çdo ndryshim sjell një pasojë. Nëse euro do të ishte dobësuar se ka patur flukse më të larta të ardhura nga grupi i eksportuesve, atëherë të ardhurat do të shtoheshin dhe për ta dhe nuk do të kishin arsye për t’u ankuar.

Por ka ndodhur e kundërta. Eksportet vitin e shkuar, kur euro pësoi rënien më të thellë shënuan rënie në vlerë vjetore 400 milion euro krahasuar me vitin 2022. Kjo rrëzoi faktorin e parë që përmendet nga autoritetet se ka ndikuar në luhatjet e kursit të këmbimit.

Të gjendur në vështirësi dhe me humbje të konsiderueshme nga rënia e euros, fasonët, sektori i hotelerisë dhe prodhuesit kërkuan gjatë gjithë vitit 2023 ndërhyrjen e autoriteteve për të gjendur një zgjidhje.

Kërkesa e tyre për të ndërhyrë në kursin e këmbimit valutor u mohua në mënyrë kategorike nga Banka e Shqipërisë.

Ne duhet të ulemi dhe të bisedojmë me Bankën e Shqipërisë që të analizojmë situatën dhe të gjejmë zgjidhje.” thotë Florian Zekja nga shoqata ‘Proeksport’.

Ata kishin trokitur më parë dhe në dyert e qeverisë. Në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit, ministria e Financave dhe Ekonomisë arrin të mbyllë një marrëveshje me ta. Bien dakord që të përshpejtohet rimbursimi i tatimit mbi vlerën e shtuar përmes një kanali të dedikuar për ta nga 30 ditë që ishte në 2 ose 3 ditë dhe shtyrja e pagesës së kësteve të tatim-fitimit deri në mars 2024.

Por as kjo paketë duket se nuk piu ujë.

Fakti që rimbursimi i tvsh-së nuk u bë për 4-5 ditë sa u premtua dhe shtyrja e pagesës së tatim-fitimit nuk na ndikoi shumë sepse bizneset ishin me humbje.” shton Zekja.

Rezultati financiar i shumë kompanive sidomos atyre të sektorit të manifakturës vijon të përkeqësohet. Muajt e fundit të vitit 2023 kur monedha e përbashkët europiane vazhdoi dobësimin dhe iu afrua vlerës së 100 lekëve, prodhimi i bizneseve të sektorit fason ra dhe nisi shkurtimi i vendeve të punës. Në një konferencë ata lajmëruan se nëse vazhdohet me këto rënie, papunësia do të rritet me të paktën 6% vitin e ardhshëm.

“Veç në dy javët e para të janari kemi shkurtuar 3000 vende pune.” tregon Florian Zekja.

Dhe kështu ndodhi. Disa ndërmarrje u mbyllën dhe disa të tjera nisën ndërprerjen e kontratave të punës me qindra punonjës. Një markë italiane ‘Cotonella’ largohet pas 27 vjetësh nga Shkodra për tu zhvendosur në Uzbekistan. Kjo firmë furnizonte 80% të rrobaqepësive në Shkodër dhe nuk u largua as në vitin 97’ nga vendi ynë. Fasonët ia vunë fajin kryesor për këtë zhvlerësimit të monedhës euro.

Vazhdon e njëjta problematikë përsa kohë euro mbetet në nivele të ulëta dhe situata është dramatike.” thotë Zekja.

“Ekonomia informale është e pranishme dhe nuk ka lëvizur në 10 vitet e fundit, ka qënë 35% dhe ka mbetur 30%. Për shkak të mos angazhimit sa duhet nuk kemi një biznes me cikël të mbyllur dhe këtu kanë përgjegjësi të dyja palët, sepse biznesi operon brenda kontekstit të Shqipërisë si për informaliteti dhe moskërkimi i llogarisë për cilësinë e punës që të nxiste një treg pune shumë më dinamik.” tregon Gjokutaj.

Por kjo nuk u pranua nga qeveria. Ata e konsiderojnë tërheqjen e kompanive që porositin prodhimin e materialeve tekstile në Shqipëri si një dështim i modelit të biznesit dhe mungesë aftësie të vetë sipërmarrësve për t’u rritur dhe evoluar në këtë treg.

Në përgjithësi prodhuesit në Shqipëri janë një industri që punojnë me norma të ulëta fitimi sepse ata konkurrojnë me vende të botës së tretë që marrin porosi me çmime tepër të ulëta. Kursi i këmbimit ka patur luhatje me 12% dhe është rritje e kostos vetëm si efekt kontabël nga kursi i këmbimit. Po t’i shtosh kësaj dhe rritjen e çmimeve të prodhimit, kjo është shumë e kushtueshme për bizneset shqiptare që të prodhojnë dhe konkurrohen në mënyrë të padrejtë nga importi.” shpjegon Selami Xhepa, profesor i Ekonomisë në Unvesrsitetin Europian të Tiranës.

Përballë këtij refuzimi kompanitë eksportuese paralajmëruan protesta dhe ofruan të dhëna konkrete se çfarë është duke ndodhur.

Kompania Extrem shpk me 170 punëtorë është drejt mbylljes, Spanjel shpk ka patur 350 punëtorë dhe ka mbetur me 130, Damson nga 70 punonjës me 30, Panspi shpk nga 160 në 70 dhe firma Valbona Vangjeli është mbyllur.

Shoqëria Toni Oil kishte në fillim të vitit 2023 140 të punësuar sot ka vetëm 8, Shirt&Company shënon 170 punonjës të larguar, Imes Alb Cërrik pushoi 80 persona dhe mbyllet, Kral Shoes ka përgjysmuar kapacitetin e prodhimit dhe po zhvendoset në Tunizi, Altek ka patur 350 të punësuar dhe ka pushuar 100, Rozimpeks e themeluar në vitin 1992 pushon 150 punëtorë, Donchris 2 kishte 47 punëtorë dhe u mbyll në dhjetor 2023, Picari shpk projekton të pushojë 250 punëtorë, Supreme Bruno nga 140 të punësuar ka përfunduar në 20, Merlika është mbyllur dhe ka nxjerrë 100 veta të papunë dhe po ashtu dhe kompania Sfidal nga 270 të punësar, ka shkurtuar 100. (grafik)

Në këtë situatë, Kryeministri Edi Rama pranon të ndihmojë me zgjidhje dhe ndërmerr një nisëm për të diskutuar me bizneset në një institucion të ri që e quajti ‘Shtëpia e Biznesit’.

Kjo është rimarrja në dorë e paketës së manifakturës që u aprovua në vitin 2021 por nuk u zbatua. Ka të bëjë me atë që kemi kërkuar për transformimin e linjave tona nga materiale porositëse në makineri me cikël të plotë. Por është një paketë që i jep efektet në afatgjatë.” shpjegon Zekja.

Duket se takimi dha frytet e para dhe bizneset gjetën gjuhën e përbashkët duke shmangur kështu protestat.

Faji për rënien e të ardhurave dhe shkurtimin e vendeve të punës u mbeti prodhuesve që nuk ditën të përshtaten me modelin e ri te tregut duke harruar rënien e valutave dhe shkaqet reale të rrëzimit të tyre.

 “Në "Shtëpinë e Biznesit" me përfaqësuesit e shoqatës së industrisë me material porositësi, për të diskutuar mbi nevojat për transfomimin e mëtejshëm të sektorit, në shembullin e kompanive lider në sektor; masat mbështetëse që do të ndërmarrim për kapërcimin e sfidave të zhvillimit; domosdoshmërinë e të kuptuarit nga të gjithë aktorët e sektorit të faktit se koha e krahut të lirë të punës si avantazh konkurrues ka përfunduar prej disa kohësh tanimë dhe ky fakt përballet vetëm me investime në teknologji e inovacion, e me paga dinjitoze rrjedhimisht.”.  lajmëroi kryeministri Edi Rama.

Të gjitha këto duket se do të zgjidhen nga një ndihmë që do të japë qeveria për të mbështetur me një linjë kredie në formën e overdraftit për likuiditet, formimit të një skeme garancie sovrane e cila do të garantojë huatë në teknologji dhe inovacion, ngritjen e një akademi profesionale për manifakturën dhe dedikimin e një kanali të posaçëm për rimbursimin e tatimit mbi vlerën e shtuar. 

Por nëse situata me fasonët u zgjidh, kjo nuk ndodhi me fermerët. Belgtorët nisën protestat për shkak të rënies së çmimit të qumështit, të cilat për shumë arsye si tatimore, ashtu dhe të uljes së çmimeve nga konkurrentët që importojnë sot më lirë nga zhvlerësimi i euros, gjenden të pashpresë.

“Dhe fermerët kanë të njëjtin problem sepse produktet shqiptare po zvëvendësohen me importin. Tregtarët po marrin mallra më të lira për shkak të euros jashtë, dhe jo produktet e blegtorëve.” thotë Zekja.

Goditja e sektorit eksportues dhe prodhues në vend, i cili është shumë i vogël përballë varësisë që ka vendi ndaj blerjes së mallrave jashtë mund të sjellë zvogëlimin e këtyre industrive dhe goditje strukturore të ekonomisë. Nga ana tjetër, edhe pse duket se nga çmimet e mallrave të importit do të ulen, tregtarët nuk po e reflektojnë për shkak të tregut të mbyllur që ka në disa sektorë kryesorë, duke rritur marzhet e fitimit.

Kredia në euro për ata që i kanë të ardhurat në lekë mund të lehtësohet, por kursimet e shqiptarëve janë zhvlerësuar me 15% duke qënë se shumica e depozitave janë në monedhën euro. Në fund të dhjetorit vlera e kursimeve të rezidentëve ra me 200 milion euro.

“Ka një pjesë e parave që janë jashtë sektorit bankar. Jo të gjitha janë para e pisët dhe është e vështirë ta ndash. Por sistemi bankar në Shqipëri është shumë i kushtueshëm dhe të bësh një transfertë kushton goxha. Dhe kjo është arsyeja pse në Europë ka një direktivë që pagesat e vogla deri në 20 mijë euro janë të përjashtuara nga komisionet, kurse në Shqipëri janë të shtrenjta dhe kjo bën që shumë njerëz të jenë të interesuar te përdorimi i ‘cash’. Por një pjesë tjetër e parasë ka si burim krimin dhe korrupsionin.” thotë Selami Xhepa.

Ekspertët thonë se shtresa më e goditur janë të varfrit që mbahen me dërgesat e të afërmve që punojnë jashtë.

“Efekti është i dyfishtë për këto shtresa, sepse ata blejnë sot me 100 euro më pak produkte se kur kjo monedhë kushtonte 140 mijë lekë (të vjetra) dhe po t’i shtojmë këtu dhe inflacionin e rritur vitet e fundit në 25%, ata blenë dy herë më pak se më parë. Ndaj parandalimi i pastrimit të parave dhe lufta ndaj parasë së zezë mendoj që është fokusi kryesor dhe ka po ashtu hapësira që të bëjë më shumë si në menaxhimin e buxhetit, ose blerjen e letrave në vlerë brenda vendit në euro dhe banka qëndrore duhet ta konsiderojë stabilizimin e kursit të këmbimit si një nga prioritetet e saj.” sqaron profesori i Ekonomisë Xhepa.

Nga ana tjetër përfitimi i vetëm është ulja e shpenzimeve për të paguar borxhin publik në monedhën euro dhe rënia në vlerë kontabël e stokut të borxhit, por që nuk shërben në afatgjatë. Pikëpyetja që shtrohet tashmë është edhe sa muaj do të vazhdojnë ky zhvlerësim dhe çfarë do të ndodhë me shtresat vunerabël dhe sektorin që mban në këmbë ekonominë tonë, përveç biznesit të parave të pista që duket se po fiton mirë në këto kohë. Kush do të fitojë: ekonomia e zezë apo e bardhë? E ardhmja dhe zhvillimi apo regresi?  E mira apo e keqja? Vlera apo antivlera?

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy