
Eksperti i ekonomisë Majlind Lazimi deklaroi në studion e emisionit “MCN Economy” se qeveria ka zgjedhur një instrument kundërproduktiv për të frenuar largimin e mjekëve nga Shqipëria. Duke vijuar më tej me logjikën e tij, Lazimi tha se dhe argumentimi i qeverisë për projektligjin është i mangët. Sipas Lazimit duhet ndjekur politika incentivuese dhe jo represive. "Nuk e shoh si problem të izoluar të një departamenti, Fakulteti. Kemi shqetësim që mund të jetë kombëtar, kemi zgjedhur instrumentin e gabuar për ta zgjidhur. Është instrument kundër produktiv për shumë arsye. Së pari kushdo që do të largohet nga Shqipëria që mund të jetë mjek, mund ta bëjë këtë pa filluar studiojë në Shqipëri, por studion jashtë. Së dyti humbasin një 5-vjecar që është i vyer dhe për specializime të mundshme që mund të bëjë një student i caktuar, që mbaron shkollën këtu, specializohet jashtë dhe do të kthehet në Shqipëri. Pashë dhe argumentimin, racionalitetin e qeverisë për projektligjin dhe mu duk i mangët dhe në kuptimin ekonomik. Shëndetësia dhe arsimi janë të mira publike, mënyra si arrijmë ta shpërndajmë këtë të mirë është gjë tjetër. Kemi nënfinancim nga sektori publik, buxheti, dy sektorët vuajnë nga mungesa e parave. Është sektor ku shqiptarët harxhojnë më shumë para. Po demotivohen ata që duhen të futen përmes këtij sistemi, pra që të marrin arsimin publik. Ne kemi një problem, nuk kemi mjaftueshëm mjekë, kemi 1.9 mjekë për 1 mijë banorë. Ne na duhen më shumë studentë që të ndjekim arsimin publik në Mjekësinë e Përgjithshme. Qeveria duhen të bënte masa incentivuese. A ka mundësi të jepet bonus përmes mos pagesës së tarifës së shkollës, është prioritare".



