
Udhëheqësi i negociatave të Bashkimit Evropian me Britaninë e Madhe, Michel Barnier, ka thënë se marrëveshja për kontrollet kufitare në Irlandën Veriore është pjesë përbërëse e marrëveshjes së BE-së me Britaninë e Madhe dhe se nuk do të ketë përsëritje të negociatave për këtë çështje.
Duke folur në Parlamentin Evropian, Barnier ka thënë se shmangia e një kufiri të mbyllur është zgjidhje realiste. Deputetët e kuvendit britanik e kishin refuzuar më herët gjatë këtij muaji marrëveshjen e arritur mes kryeministres së tyre dhe zyrtarëve të Bashkimit Evropian. Në vend të kësaj, ata i dhanë mbështetje zonjës May për të kërkuar marrëveshje alternative për Irlandën Veriore, shkruan BBC.
Britania e Madhe do të largohet nga Bashkimi Evropian në mesnatën e 29 marsit. Çështja e kontrollit kufitar në Irlandën Veriore tashmë është bërë arsye për përplasje dhe mosmarrrëveshje mes bllokut dhe Mbretërisë së Bashkuar. Në marrëveshjen aktuale thuhet se Britania e Madhe do të vazhdojë të jetë pjesë e unionit të doganave të BE-së, por edhe Irlanda Veriore duhet t’i nënshtrohet disa rregullave të tregut të përbashkët.
Kryeministrja May ka thënë se ekzistojnë disa alternativa për t’i shmangur kontrollet kufitare dhe se dëshiron të diskutojë për këtë çështje me udhëheqësit e Bashkimit Evropian.
Këto përfshijnë një skemë "tregti të besuar" për të shmangur kontrollet fizike të mallrave që kalojnë kufirin, "njohjen reciproke" të rregullave me BE dhe zgjidhjet "teknologjike".
Ajo gjithashtu dëshiron të diskutojë një afat kohor mbi backstop dhe një mekanizëm "të njëanshëm të daljes" - të dy opsionet e përjashtuara nga BE në të kaluarën.
Sidoqoftë, udhëheqësit e BE-së po refuzojnë ta vendosin këtë çështje mbi tavolinë, duke thënë se ajo është pjesë e marrëveshjes së nënshkruar paraprakisht.
Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker tha se besonte te "angazhimi personal i zonjës May" për të shmangur "rrëshqitjen në të kaluarën e errët", por ai tha se "rrjeti i sigurisë" i backstop ishte i nevojshëm për ta parandaluar atë.



