Prokuroria e Kurbinit ka përfundur hetimet dhe ka çuar për gjykim dosjen ndaj 21-vjeçarit Kreshnik Tusha, i arrestuar si i dyshuar në vrasjen e dy biznesmenëve, Bujar Lika dhe Paulin Gjergji. Ngjarja ka ndodhur në muajin maj të këtij viti në një lokal në Kurbin. Akuzat e ngritura ndaj 21-vjeçarit janë “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit” dhe “Moskallëzimi i krimit”. Mbrëmjen e datës 30 maj, kohë kur ndodhi masakra brenda lokalit në autostradën Milot-Mamurras, Kreshnik Tusha u paraqit në urgjencën e Laçit i plagosur me armë zjarri në këmbë.
Një ditë më vonë ai u prangos nga policia si i përfshirë në ekzekutimin e Paulin Gjergjit e Bujar Likës, ndërsa dëshmitë e tij kanë qenë kontradiktore. Ai ka deklaruar se i kishin bërë atentat, duke e qëlluar me pistoletë teksa po hynte në banesën e tij, por blutë kanë gjetur 4 gëzhoja automatiku në rrugicën e shtëpisë së tij. Pas zbardhjes së ngjarjes së 30 majit dhe arrestimit të autorit kryesor, Eduart Lamajt, 21-vjeçari Kreshnik Tusha u la i lirë nga Gjykata e Kurbinit, pasi kishte mungesë provash që e implikonin në këtë ngjare. Por, një muaj më pas Tusha u arrestua sërish, pasi Gjykata e Apelit Tiranë vendosi ricaktimin e masës së “Arrest në burg” për Tushën, pasi pozicioni i tij në masakrën me dy të vrarë ka qenë shumë i dyshimtë.
21-vjeçarit i kanë dalë elementë kimikë baruti në duar, duke sjellë dhe ngritjen e dyshimeve se Tusha në 30 maj ka përdorur një armë zjarri. Një ndër faktorët kryesorë që kthyen Tushën në burg, sipas vendimit të Gjykatës, ishte dëshmia e tij kontradiktore për ngjarjen e ndodhur në datën 30 maj 2020, por ai ka mohuar në vazhdimësi që të jetë pjesë e grupit që ekzekutuan dy personat. Tashmë mbeten për t’u parë provat që do të paraqesë Prokuroria për të provuar akuzat e ngritura ndaj të riut dhe vendimin që do të marrë Gjykata e Kurbinit.



