Koreja e Veriut ka lëshuar atë që mendohet të jetë një raketë balistike me rreze të mesme veprimi drejt detit në lindje të saj, njoftoi ushtria e Koresë së Jugut, në lëshimin e parë të raketës nga Pheniani në dy muaj.
Raketa fluturoi 1100 km përpara se të binte në det, tha ushtria, duke shtuar se dënon fuqishëm këtë “akt të qartë provokimi”.
Nisja vjen ndërsa Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken viziton Seulin për bisedime me disa nga udhëheqësit kryesorë të Koresë së Jugut.
Më herët të hënën, Blinken u takua me presidentin në detyrë Choi Sang-mok, ku ai e përshkroi aleancën midis Uashingtonit dhe Seulit si “gur themeli i paqes dhe stabilitetit në gadishullin Korean”.

Ushtria e Koresë së Jugut thotë se ka forcuar mbikëqyrjen për lëshimet e ardhshme të raketave të Veriut dhe po ndan nga afër informacion për lëshimin e sotëm me SHBA-në dhe Japoninë.
Lëshimi i sotëm vjen mes të kaosit politik në Korenë e Jugut, i cili ka përfshirë vendin për javë të tëra pas përpjekjes afatshkurtër të presidentit Yoon Suk Yeol për vendosjen e ligjit ushtarak.
Yoon, të cilit iu hoqën kompetencat presidenciale pasi ligjvënësit votuan për shkarkimin e tij, tani përballet me arrestimin. Gjykata Kushtetuese po shqyrton edhe nëse ai duhet të shkarkohet nga detyra.
Hera e fundit që Pheniani lëshoi raketa balistike ishte në nëntor, një ditë para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, kur lëshoi të paktën shtatë raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi në brigjet e saj lindore.



