
Një grup subjektesh që operojnë në fushën e inspektimit dhe çertifikimit Teknik në sektorin e gazit dhe karburanteve i janë drejtuar me një letër Autoritetit të Konkurrencës, si dhe 3 ministrive asaj të Infrastrukturës, Financave dhe Drejtësisë ku i kërkojnë marrjen e masave të menjëhershme për ndalimin dhe eliminimin e abuzimit me pozitën dominuese në treg të kompanisë NOA Kontroll, e cila ka nënshkruar një kontratë 20-vjeçare për verifikimin periodik të pompave të karburantit dhe gazit. Ato theksojnë në letër se NOA Control me ortak të vetëm shoqërinë bijë Noa Inspect, e cila ka marrë ekskluzivitetin edhe për sigurimin e regjimit automatik ka një pozitë dominuese 100 për qind në treg me dy shërbime sensitive në sektorin e karburanteve, pozitë që sipas tyre cenon rëndë konkurrencën dhe interesin publik.
Është mëse e dukshme që NOA CONTROL është në një situatë të konfliktit të hapur të hapur të interesit që është krijuar pas dhënies së koncesionit të verifikimit të distributorëve/pompave të naftës në subjektet e karburanteve, ku ajo ofron në të njëjtën kohë edhe shërbime të tjera inspektimi, për të cilat janë miratuar edhe subjekte të tjera. Për pasojë, këto subjekte janë në pozita inferiore dhe krejt të pafavorshme konkurrence për shkak të pozitës dominuese të NOA Control me shërbimet monopol në sektorin e karburanteve.
Në letrën drejtuar institucioneve kërkohet revokim i menjëhershëm i akteve të miratimit për shoqërinë NOA Controll për Lëshimin e Vërtetimeve Teknike, kryerjen e Inspektimeve në rezervuarët e Hazit të Lëngshëm dhe karburanteve si dhe certifikimin e personave që punojnë me paisje presioni në pikat e karburanteve. Aktualisht janë rreth 11 shoqëri të miratuara për këto aktivitete, 8 në lëshimin e çertifikatave teknike dhe 3 në çertifikimin e punonjësve që përdorin paisje nën presion në pikat e karburanteve. Si të mos mjaftonte kjo, Ministria e Financave, përmes Drejtorisë së Koncesioneve, ka nisur procedurat për të dyfishuar tarifën e kontrollit të pompave në stacionet e karburanteve nga 14 mijë lekë për pompë në vit që është aktualisht në 28 mijë lekë në vit. Tarifë kjo që i paguhet kompanisë koncesionare Noa Control nga shoqëritë e karburanteve dhe do të rëndojë me të paktën 3.4 milionë euro në vit qytetarët duke përfshirë dhe efektin e tatimit mbi vlerën e shtuar.
NOA Control ka një koncesion 20-vjeçar për verifikimin periodik të instrumenteve shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm.



