
Rreth 6 miliardë lekë më shumë se në dhjetor të vitit 2018 janë dhënë kredi për biznesin nga bankat e nivelit të dytë. Pas një rënieje të vazhdueshme të aktivitetit kreditues, Banka e Shqipërisë raportoi se ka një përmirësim të të rritjes së kredisë për bizneset me 0.4%, krahasuar me fundin e vitit të kaluar. Sa u takon shkaqeve që çuan në forcimin e kritereve të dhënies së huasë për bizneset, ekspertët e fushës ngritën disa arsye që sipas tyre ishin kryesore. Ndërkohë për gazetarin e ekonomisë, Emirjon Senja, aktualisht kryeredaktori i një portali në vend, ky aktivitet lidhet shumë me ristrukturimin bankar.
“Është një periudhë e ristrukturimit të sistemit bankar në Shqipëri. Është një situatë ku ato po përpiqen fillimisht të kuptojnë realitetin e ri të krijuar në treg. Bankat kanë fshirë tashmë kreditë me probleme që nuk performonin mirë dhe tashmë po përpiqen të kuptojnë, ta lexojnë situatën në realitetin e ri që është krijuar duke filluar nga një “vit zero””, thotë Senja.
Ndërkohë për ekspertin e ekonomisë, Elvin Meka, marrëdhënia biznes – bankë është një thikë me dy presa dhe nuk duhet të studiojmë vetëm njërën anë, por është një produkt i përbashkët.
“Nga njëra anë kemi bankat, të cilat prej disa vitesh rrjesht po synojnë të zbatojnë një listë më cilësore të kritereve për hua, nga ana tjetër sa klientët që aplikojnë për të marrë hua, plotësojnë këto lloj standardesh”, shprehet Meka.
Për ekspertin Meka, pasiguria padyshim mbetet një nga motivet që po step bankat për të dhënë kredi. Ndërsa Senja teksa e krahason situatën me vitet ’97, ka argumentuar edhe qasjen e bankave për t’u treguar të kujdesshme ndaj kontratave koncesionare.
“Pasiguria për të ardhmen është një nga faktorët bazë që i step dhe klientët dhe vetë bankat për të dhënë hua”, thotë Meka.
“Fakti që banka ka vlerësuar që një projekt të mos e financojë, do të thotë që aty ka gjetur diçka që nuk mendon që këto para mund të mos i kthehen në të ardhmen”, thotë Senja.
Po mesa duket, kjo prirje e bankave rrjedh në gjenezën e disa problemeve madhore që Shqipëria i mbart ndër vite.
“Problemi i madh që ka të bëjë me titujt e pronësisë kufizon në mënyrë thelbësore mundësinë për zgjerim të shpejtë të kreditimit. Gjykata tashmë dihet në ç’situatë dhe ç’gjendje është”, shprehet Meka.
Por a ka Banka e Shqipërisë mekanizma për të ushtruar presion për rritjen e kreditimit?
“Banka e Shqipërisë ka shfrytëzuar thuajse në ekstrem të gjithë mekanizmat e mundshëm për të promovuar zgjerimin e kreditimit në ekonomi”, thotë Meka.
“Banka e Shqipërisë, atë që kishte levën kryesore të dhënies së një mesazhi në treg e ka bërë. Ka ulur në mënyrë të vazhdueshme normën bazë të interesit për lekun”, thotë Senja.
Për TEMA TV ata pohuan se ndryshimi i kahut të kreditimit nga sektori i ndërtimit, tek industria është një mesazh pozitiv pasi ndikon drejtëpërsëdrejtin në punësim dhe prodhim më të madh. Në tremujorin e parë të këtij viti kredia për industrinë ka shënuar rritje të peshës në 25%.



