
Ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, ka sugjeruar që Joe Biden duhet të rishqyrtoj vendimin e tij për garën presidenciale. Në mënyrë indirekte duket se ajo kërkon tërheqjen e Biden-it nga gara presidenciale përballë Trump-it.

E pyetur nëse Biden duhet të jetë kandidati demokratëve në zgjedhjet e nëntorit, Pelosi nuk dha një përgjigje në mbështetje të shefit të Shtëpisë së Bardhë. Ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve tha se koha nuk pret dhe i takon Biden-it të marrë një vendim.
"I takon presidentit të vendosë nëse ai do të kandidojë. Ne të gjithë po e inkurajojmë atë që të marrë këtë vendim sepse koha po ikën," tha Pelosi në një intervistë në "Morning Joe" të MSNBC.
84-vjeçarja u shpreh se presidenti dhe partia e tij duhet të fokusohen në konferencën e NATO-s këtë javë përpara se të marrin një vendim për të ardhmen e tij.
Pelosi përmendet shpesh si një nga politikanet e pakta në radhët e demokratëve që mund të ndikojë në vendimmarrjen e Biden-it, së bashku me Obamën dhe familjen e tij të ngushtë.
Më herët ishte ylli i hollivudit, George Clooney, një mbështetës i njohur i demokratëve, që bëri thirrje për tërheqjen e Biden-it nga gara, duke theksuar se Presidenti nuk mund ta fitojë betejën me kohën.



