
Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës, ka bërë të ditur se nesër në Kukës priten të vaksinohen rreth 250 punëtorët e parë shëndetësor, ndërsa në ditët në vijim do të vazhdohet edhe me 250 të tjerë.
Në komunikatë për media thuhet se delegacioni i FSSHK-së i përbërë nga kryetari Blerim Syla dhe Islam Krasniqi në prani të Ambasadorit të Kosovës në Shqipëri Nait Hasani sot kanë zhvilluar takim me Ministrinë e Shëndetësisë të Republikës së Shqipërisë dhe janë dakorduar për çështjet teknike të vaksinimit të punëtorëve shëndetësor të Kosovës.
FSSHK thotë se në Kukës është duke u përgatitur një hapësirë e veçantë për vaksinimin e punëtorëve shëndetësor të Kosovës.
Ndryshe, Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk ka nisur ende procesin e vaksinimit.
Kosova pritet të përfitojë vaksinat e para nga COVAX – skema e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për shpërndarje të vaksinave në vendet e varfra.
Në dërgesën përmes COVAX-it, Kosova do të përfitojë 100,800 doza të vaksinës së prodhuar nga kompania AstraZeneca.



