
Në nder të viktimave që humbën jetën në aksidentin tragjik të mëngjesit të djeshëm në Kroaci, Kosova e ka shpallur ditën e sotme ditë zie.
10 viktima dhe 45 persona mbetën të plagosur prej të cilëve 15 në gjendje të rëndë, nga aksidenti i shënuar rreth orës 06:20 të mëngjesit në qytetin Slavonski Brod, ndërsa autobusi me targa të Kosovës vinte nga Frankfurti, Gjermani, drejt Prishtinës ndërsa në bord kishte 67 pasagjerë dhe dy shoferë, ku njëri humbi jetën.
Presidentja Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës, ka marrë vendim që dita e hënë, 26 korrik 2021, të shpallet ditë zie shtetërore në nderim të qytetarëve të Kosovës që humbën jetën tragjikisht në aksident.
Gjithashtu për shkak të kësaj ngjarje tragjike, Osmani ka ndërprerë vizitën në Japoni dhe sot do të udhëtojë për në Kosovë.



