Në Zvicër, një 23-vjeçar vendosi të ndryshojë zyrtarisht seksin për të shmangur shërbimin ushtarak. Një vit më parë, i riu zgjodhi të bëhej vajzë, por vetëm në dokumente. Për ta bërë diçka të tillë, ai ka përfituar nga një thjeshtim i procedurës që do të ndiqet për ndryshimin e seksit në statusin martesor, i futur në vitin 2022. Në këtë mënyrë ai nuk do të veshë uniformat e ushtrisë, por do t’i përkushtohet plotësisht universitetit profesional. Rasti në Zvicër ka ngritur një sërë debatesh lidhur me ndryshimin e gjinisë dhe shërbimin ushtarak. Sipas raporteve nga mediat zvicerane, djali tregoi se si një zyrtar e transformoi nga burrë në grua në vetëm dy minuta, pa bërë asnjë pyetje në lidhje me dëshirën e tij për ndryshim seksi apo identitetin e tij gjinor. “Më lejuan të hyja në dhomën e mbledhjeve, dy minuta më vonë isha grua”. I riu theksoi se gjatë takimit nuk është marrë në pyetje për zgjedhjen e tij apo kur është identifikuar si femër. Ai shkoi në zyrën e gjendjes civile i veshur me rrobat e zakonshme dhe duke folur me zërin e tij normal. Ajo thjesht plotësoi një formular me emrin e saj “të ri”, por zgjodhi të mbante emrin e saj mashkullor. Më tej, ajo e pyeti zyrtarin nëse ndryshimi i gjinisë mund të ndryshohet në të ardhmen, duke marrë një konfirmim pozitiv. Arsyeja kryesore duket të jetë ekonomike. Ndryshimi i seksit kushton vetëm 75 franga, ndërsa përjashtimi nga shërbimi ushtarak mund të përfshijë kosto shumë më të larta.



