Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, nisjen e punës për korsitë e dedikuara për autobusët në njësinë nr.7 në kryeqytet e sheh si premtim të vonuar të kryebashkiakut Erion Veliaj.
Për edicionin e lajmeve të MCN TV, ai deklaroi se është dita e dytë rresht që disa media japin të njëjtën kasetë të parapërgatitur të Erion Veliajt që duket sikur po bën namin, por në fakt është nëntë vite me vonesë.
Ai tha se sot që flasim Tirana ka vetëm 7 kilometër korsi të dedikuara për autobusët, që sipas tij janë shumë pak dhe se në këto korsi kush nuk kalon dhe çfarë nuk kalon.
Zoti Veliaj ka nëntë vite që nuk e mban premtimin për korsitë e dedikuara për autobusët, pasi krijon trafik dhe ka ndikim në shëndetin, ku pasi përdorimi i automjeteve shton ndotjen, sëmundjet dhe vdekjet nga ajri i ndotur.
Punët në bashkinë Tiranë karakterizohen nga një nivel shumë i lartë korrupsioni. Jam i sigurt se dhe në kontratat e reja të stërvonuara të bashkisë Tiranë, do mbeten edhe në këtë kontratë.
9 vjet për të ndërtuar korsi të dedikuara për autobusët. Kush ka përfituar nga trafiku në Tiranë? Ata që shesin naftë, grosistët e naftës, duke nisur me grosistin kryesor Shefqet Kastrati.
Këtu duhet një hetim i SPAK nëse është neglizhencë apo vonesë kriminale. Unë përdor përditë autobusin dhe e di që kushtet janë shumë të vështira.
Transporti është shumë i ngadaltë në autobus se ngel në trafik njëlloj si makinat e tjera.
Me biçikleta dhe monopatinë nuk udhëtohet në çdo stinë, plus që jo të gjithë kanë mundësi fizike. Përmirësimi i transportit publik apo një tramvaj është shumë i rëndësishëm.
Kush ka përfituar dhe sa kanë përfituar në këto 9 vite nga degradimi i transportit publik dhe ngadalësia shumë e madhe?
Mua më del vetëm një përgjigje: Ata që shesin naftë dhe karburant.
Zoti Veliaj nuk ka 9 ditë dhe 9 muaj në bashkinë e Tiranës, por ka 9 vjet. Të thuash që unë tani do nisë zbatimin e një premtimi të para nëntë vitesh, është shumë e vonuar.
Dyshoj se bashkia Tiranë, përfaqësuesit e lartë të saj dhe kreu i bashkisë Tiranë, kanë një ujdi të hapur, të tërthortë, një marrëveshje me ato subjekteve që iu intereson shitja e sa më shumë nafte.
Ndryshe nuk ka si të shpjegohet që nuk është bërë 9 vite më parë kur kishte më pak ndërtime dhe hapësira.
Nisin të ndërtohen vetëm tani dhe në kohën kur Veliaj është i dyshuar për dy super skandale inceneratori i Tiranës dhe skandali “5D”.
Mund të jetë dhe një akt dëshpërimi i Veliajt, për të thënë që po bën punë.
Ka hulumtime dhe studime që flasin për numrin e vdekjeve të parakohshme për shkak të sëmundjeve të shkaktuara nga ndotja.
Shifrat duhet të na i thonë institucionet se sa shqiptarë vdesin para kohe për shkak të ndotjes së ajrit dhe tej konsumimit të karburantit.
Ndërsa Veliaj është thirrur për të dhënë shpjegime në SPAK por ende ndaj tij nuk ka një procedim lidhur me çështjen e inceneratorëve, Qori tha se nëse për inceneratorin e Tiranës dhe për skandalin “5D” për kryebashkiakun nuk ngrihet një akuzë, reputacioni i SPAK dhe reformës në drejtësi do të bjerë përtokë.
Nëse investimi në reformën në drejtësi, nuk materializohet në një akuzë për Erion Veliaj dhe Edi Ramën që ka përgjegjësi si kryetar i KKRRT jo vetëm për inceneratorin dhe lejet që po jepen në Tiranë, nëse nuk ngrihet akuzë për Veliaj dhe Ramën, reforma në drejtësi ka rënë përtokë dhe do bjerë përtokë edhe reputacioni i organizmave ndërkombëtar dhe SHBA-BE.



