Është thënë shumë herë se ndryshimi i klimës dhe ngrohja globale kanë ndikim negativ edhe në shëndetin tonë.
Për shembull, ato kontribuojnë në rrezikun e epidemive të reja ose pandemive, sepse njerëzit po hyjnë në habitatet e okupuara më parë vetëm nga kafshët.
Por dëmi mund të jetë i shumëllojshëm dhe i larmishëm. Një studim nga Universiteti i Kalifornisë në Davis tregoi se ndërsa temperaturat rriten, njerëzit mund të preken më shumë nga rriqrat.
Hulumtimi, i kryer në Shtetet e Bashkuara, tregon se në kushte të temperaturave të larta, disa lloje këpushash të qenve mund të zgjedhin të sulmojnë njerëzit përpara kafshëve, të paktën dy herë më shumë sesa në të kaluarën. Rezultatet u prezantuan në takimin e 68-të vjetor të Shoqatës Amerikane të Mjekësisë Tropikale dhe Higjenës.
Rriqrat e rrezikshme. Në qendër të vëmendjes së shkencëtarëve ekziston një lloj rriqnash që mbart baktere të quajtura Rickettsial, mikroorganizma që tek njerëzit mund të shkaktojnë sëmundje të ndryshme infektive, madje edhe shumë të rënda. Studiuesit u përqëndruan në rriqrat që strehojnë një bakter të veçantë të grupit Rickettsial, të quajtur Rickettsia Rickettsii, përgjegjës për një sëmundje të rrezikshme infektive, që njihet si ethet ekzantematike e Rocky Mountain (në akronimin FEMR) aktualisht e pranishme pothuajse ekskluzivisht në Shtetet e Bashkuara dhe në zona të ndryshme të Amerikës Qendrore dhe Jugore.
Kjo ethe diagnostikohet zakonisht në periudhën nga prilli deri në shtator. Nëse zbulohet brenda javës së parë, infeksioni mund të kurohet në mënyrë efektive me antibiotikë, përndryshe sëmundja ekzantematike zë vend me simptoma dhe komplikime shumë serioze, të tilla si inflamacioni i mushkërive dhe zemrës. Ethet e FEMR shoqërohen me një vdekshmëri deri në 20%.



