Maqedonia do të shkojë në zgjedhjet e parakohshme të 13 korrikut në kushte të pazakonta. Sipas vendimit të firmosur nga kryetari i Kuvendit në largim, Talat Xhaferri, fushata zgjedhore do të fillojë më 24 qershor dhe do të zgjasë 20 ditë. Ndërkaq, është vendosur që më 13 korrik të votojnë personat në izolim dhe vetizolim, përfshirë edhe ata me pozitivë me virus.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve do të formojë një ose më shumë këshilla zgjedhorë, të përbërë nga tre nëpunës shëndetësorë të cilët do të ndjekin procesin e votimit.
Më 14 korrik do të votojnë personat e sëmurë dhe të sëmurët kronikë, ndërsa është vendosur edhe zgjatja e kohës së votimit, nga ora 7 e mëngjesit deri në 21.00
Ministria e Punëve të Brendshme ka afat njëditor për të dorëzuar në KSHZ të dhënat e personave që kanë përditësuar dokumentet e identifikimit ose që do të mbushin 18 vjet deri në ditën e votimit.
Gjatë fushatës, mediat do të mund të transmetojnë gjithsej 14 minuta program të paguar politik për një orë reale. Gjashtë minuta u takojnë dy partive më të mëdha në pushtet, gjashtë minuta dy partive më të mëdha në opozitë dhe dy minutat për partitë e tjera.
KSHZ-ja do të vazhdojë aktivitetet zgjedhore të mbetura pezull pasi pranoi aktvendimin për zgjedhjet të plotësuar me datën e re, nga kreu i Kuvendit Talat Xhaferi.



