
Kryeministri Edi Rama në një deklaratë për mediat tha se qeveria nuk ka ndikuar në arrestimin e Fredi Belerit. Ai u shpreh se akuzat e ngritura ndaj Fredi Belerit nuk janë politike, ndërkohë që fitorja e tij në Himarë tregon se PS nuk ka përdorur mjete të paligjshme për të fituar këtë bashki.
Besoj se nuk ka asnjë mundësi të pajtohemi se ka një drejtësi tjetër për qytetarët e Shqipërisë me kombësi shqiptare dhe tjetër me ata me kombësi greke. Nuk do flas deri në mbarimin e zgjedhjeve në Greqi, duke shpresuar që më pas do ketë dialog dhe jo deklarata që i kam dëgjuar të bëhen jo vetëm nga përfaqësues të qeverisë, por dhe nga parti simotra, SIRIZA apo PASOK.
Zgjedhjet në Himarë kanë treguar diçka krejt tjetër, janë zhvilluar me qetësi të plotë, është votuar pas asnjë incidente, kanë qenë përfaqësues të trupit diplomatik, gazetarë nga të gjitha mediat shqiptare dhe greke, dhe është bërë një numërim paqësor.
Në fund ka fituar me një grusht votash, por nuk ka rëndësi, kandidati kundërshtarë me qeverinë dhe kjo hedh poshtë totalisht çdo lloj argumenti të sforcuar se aty është bërë përpjekje për të marrë me metoda ekstra ligjore dhe elektorale nga ana jonë një fitore e cila s’ka të bëjë fare me masën e dhënë nga gjykata.
I pyetur nëse do ta shkarkojë Fredi Belerin Rama tha rasti i Himarës është i qartë dhe se zgjedhjet janë zhvilluar në mënyrën më të lirë, më të drejtë dhe transparente.
Njëri prej kandidatëve ka një problem të hapur me drejtësinë. Për të parën kemi pjesën tonë të përgjegjësisë dhe besoj se e kemi ushtruar me përgjegjshmëri, maturi dhe durim maksimal. Në Himarë nuk kemi çuar asnjë person nga qendra. Edhe drejtuesi politik i qarkut të Vlorës nuk ka qëndruar aty për të bërë marikimin e atij lideri lokal që shpërndau gjithandej toksinat e një situate imagjinare presionesh me mjete dhe xhama të zinj. S’ka pasur asnjë përplasje, debat dhe kjo besoj është pamja e qartë e përgjegjshmërisë tonë nga drejtësia.



