
Qëndrimi ulur gjithë ditën në zyrë, rrugës nga puna në shtëpi dhe anasjelltas apo qëndrimi para televizorit është shumë i dëmshëm për shëndetin. Qëndrimi ulur për një kohë të gjatë lidhet me rrezikun e shtuar për diabet dhe disa lloje tumoresh, si edhe dyfishon rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare.
Këto janë thënë shpesh nga mjekët, por një studim i kryer së fundmi shpjegon saktësisht mënyrën se si ndikon negativisht te njeriu qëndrimi ulur.
Sipas studiuesve, qëndrimi ulur gjithë ditën është i lidhur direkt me zhvillimin e disa proteinave të quajtura troponine, të cilat qelizat e muskulit të zemrës i lëshojnë kur dëmtohen.
Këto proteina janë të parat që kërkohen në analizat e gjakut të një personi që është goditur nga një atak kardiak.
Studiuesit gjetën se njerëzit që qëndrojnë më shumë se 10 orë në ditë ulur (llogaritni 8 orë në punë) kanë nivele të larta të troponinës. Shifrat në këto raste nuk ishin në nivelet e një pacienti të prekur nga ataku, por studiuesit i referohen këtij fenomeni si dëmtime kardiake subklinike.
Kur vlerat vazhdojnë të mbeten të njëjta në mënyrë kronike te njerëzit që rrinë gjatë ulur, kjo shpjegon se pse ata që bëjnë jetë sedentare kanë më shumë gjasa të vdesin më shpejt se ata që janë më aktivë, edhe nëse nuk kanë probleme të sistemit kardiovaskular.
Studimi është kryer me një grup vullnetarësh nga popullata multietnike e kontesë së Dallasit, në SHBA.
Ky është studimi i parë që analizon lidhjen e jetës sedentare me nivelet e troponinës. Ai nuk provon në mënyrë shteruese se qëndrimi ulur dëmton zemrën, por konstaton se ata që ndjekin këtë lloj rutine kanë më shumë shenja të dëmtimit të zemrës. / Business Insider /



