Ish-prokurori Eugen Beci tha në studion e emisionit “Fact Check”, se një hetim rigoroz pas kontrolleve të ushtruara nëpër burgje do të zbardhte skemën e futjes së tye dhe rrjedhimisht edhe mospërsëritjen e kësaj vepre. Beci tha janë punonjësit e burgut ata që bëjnë të mundur futjen e sendeve të ndaluara, kundrejt pagesave të kripura.
Nëse ka kontroll rigoroz, në burgjet shqiptare nuk do të gjeje as një kartë e jo më celular. Por në burgjet e Shqipërisë futen sende të paligjshme vetëm për një arsye: bashkëpunimi i elementëve kriminalë me punonjësit e burgut. Kjo ndodh zakonisht kur ndërrohet turni i dytë me atë të tretë.
Sipas rregullave, edhe drejtori i burgut i nënshtrohet kontrollit. Por kemi të bëjmë me raste kur një person nuk kontrollohet.
Shifrat variojnë nga 100 deri në 1000 euro për futjen e një celulari. D.m.th. policit po i mbaruan lekët i heq telefonat nga qelitë dhe krijon kushtet që të kërkohet futja e tyre për së dyti.
Duhet gjithmonë hetim pas gjetjes së objekteve të ndaluara, në mënyrë që të zbulohet skema si janë futur. Duke gjetur përgjegjësit, ti nuk ke nevojë të bësh kontrolle të tjera. Hetimi është një shoqërim i fortë i kontrolleve.
Tento të shkosh me një tortë në burg. Do kalosh me skaner dhe torta do të kontrollohet edhe me thikë. E them këtë që të ilustroj atë që thashë: celularët futen nga punonjësit e burgjeve.



