I etiketuar si “xha Cheni”, ai është bërë mjaft popullor për një arritje mjaft të pazakontë: pjesëmarrjen në maratonë duke pirë duhan gjatë gjithë rrugës dhe duke përfunduar garat me një kohë konkurruese.
Të fundit, maratonën e Xin’anjiang në Jiande të Kinës, më 6 nëntor, e përfundoi për 3 orë e 28 minuta, duke u renditur në vendin e 574-të në një konkurs ku pati afro 1500 pjesëmarrës.
Historia e vrapuesit duhanpirës, Chen Bang-Xian, 50 vjeç, me origjinë nga Guangzhou, u bë me shpejtësi virale në të gjithë botën, pasi grupi që organizoi maratonën ndau kohën e tij dhe një imazh të certifikatës që mori për përfundimin e garës.
Dhe fotografitë e tij duke vrapuar dhe ndezur cigaret njëra pas tjetrës, janë shpërndarë në Weibo, platformën sociale kineze.
Mes përdoruesve ka nga ata që e kanë komplimentuar për mbajtjen e frymës, por ka pasur edhe kritika.
Mirëpo “xha Cheni” u akuzua për dëmtimin e konkurrentëve të tjerë me pirjen e duhanit pasiv. Por organizatorët e eventit kanë konfirmuar se pirja e duhanit gjatë konkurrimit nuk është kundër rregullave.
Për Chen, maratona e Xin’anjiang në Jiande ishte arritja e tretë: pasi në vitin 2018, gjatë maratonës së Guangzhou, ai përfundoi garën me një kohë prej 3 orë 36 minuta dhe disa cigare të pira gjatë rrugës.
Në vitin 2019, midis një thithje oksigjeni dhe një tjetre duhani, ai përfundoi maratonën Xiamen në 3 orë 32 minuta. Prandaj, Chen jo vetëm që pi duhan gjatë vrapimit, por bëhet më i shpejtë çdo herë.



