Palët politike duket se janë kthyer në pikën zero, veçanërisht pas deklaratës së kryeministrit Rama, i cili paralajmëroi ndryshimin e Kushtetutës për hapjen e listave.
Vetëm pak minuta më vonë reagoi edhe selia blu, ku përmes kryedemokratit Lulzim Basha u paralajmërua prishja e marrëveshjes së 5 Qershorit, e dakordësuar nga faktori ndërkombëtar me mazhorancën.
Mirëpo, një ditë më pas, ishte Rudina Hajdari ajo që nxori një video të kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha ku theksoi se po gënjente shqiptarët në lidhje me listat e hapura, pasi ai vetëm para 3 vitesh u premtoi hapjen e tyre, ndërsa një ditë më parë doli kategorisht kundër hapjes së listave.
Në një konferencë për mediat, Hajdari publikoi një video të Bashës ku premton në 2017 se kjo do të ishte hera e fundit që listat ishin të mbyllura, por që me deklaratën e djeshme doli se gënjeu hapur.
Sipas Hajdarit në politikë kërkohet një qëndrim i qartë, por që për Bashën kjo është e vështirë pasi jo vetëm nuk është koherent por nuk mban premtimet e bëra qytetarëve.
"Që në 2017 kur PD hapi fushën elektorale premtoi lista të hapura dhe se lista do të zgjidhej nga qytetarët dhe jo më kryetari i partisë. Një zotim që unë e kam marrë seriozisht dhe se kjo do të jetë beteja që unë kam vendosur për shqiptarët në zgjedhjet e ardhshme. Pra siç e shikoni ky ishte një premtim që nuk u mbaj dhe në fakt në politikë duhet të mbash një qëndrim të qartë dhe të jesh koherent me publikun. Nuk e di nëse e kam këtë prej origjinës apo i ka ardhur koha që të mbahen premtimet ndaj qytetareve. Dua ti them qytetarëve që ajo që kërkoj unë të dal si kandidate në një listë të mbyllur ashtu siç u futa në një të tillë si e bija e Azem Hajdarit, por që nesër të dal si Rudina Azem Hajdari që nuk ka frikë nga vota e qytetarëve dhe ta marrë atë votë me meritë të plotë", tha Hajdari.
Partia Demokratike ka reaguar sërish për çështjen e këtyre ditëve që është pjesë e diskutimit për Reformën Zgjedhore, listat e hapura.
Teksa ka sulmuar Ramën, PD risjellë në vëmendje një deklaratë të bërë nga ministri Damian Gjiknuri që ky i fundit bëri për këtë temë në datën 19 qershor të këtij viti. Sipas PD-së, Rama është i frikësuar dhe i tmerruar nga ndryshimi i pandalshëm që po vjen i pushtetit.
REAGIMI I PD
Edi Rama nuk ka hallin e qytetarëve që sot i ka braktisur të vetëm përballë virusit dhe i ka zhytur në krizën më të thellë ekonomike të 20 viteve të fundit. Ky frikacak, i tmerruar nga zgjedhjet dhe nga ndryshimi i pandalshëm që po vjen, ka vetëm hallin e tij dhe të një grushti oligarkësh e kriminelësh që e sollën dhe e mbajnë në pushtet. Dëgjojeni me zë dhe me figurë përgjigjen nga vetë përfaqësuesi i Edi Ramës, kur vetëm javë më parë kërkonte që sistemi dhe listat të mosndryshonin
DEKLARATA E GJIKNURIT NË 19 QERSHOR 2020: Ne, përshembull, si Parti Socialiste, të themi të drejtën, publikisht nuk kemi qenë partizanë për listat e hapura. Mbase do të vijë dita që do ketë lista të hapura, kur do të pendohen për listat e hapura. Do të degradohej menaxhimi, do të jetë një korrupsion i mirëfilltë, do të hyjnë njerëzit më problematikë, që nuk do t'jua marrë mendja.
DEKLARATA E GJIKNURIT NË 21 MAJ 2020: Po të hapim lojën e sistemit, në ato mënyra që themi, ne do të shpërbëjmë Kushtetutën e Shqipërisë. Nëse hapim lojën e sistemit, që nuk po them se s'ka ardhur momenti që ta hapim tani, ne nuk mund ta zgjidhim dot tani. S'mund të zgjidhet kjo, kur gjysma e elektoratit është në rrugë , kur një pjesë tjetër këtu dua sepse "unë kam votat, do të të bllokoj", nuk zgjidhet, do klimë të qetë ajo. Bëhet fjalë për themelet e Republikës sonë.



