
Ish-kryeministri rumun, Victor Ponta, thotë se nuk dëshiron që vendi i tij të bëhet si Hungaria. Në një intervistë për Euronews, ai njoftoi rikthimin në politikë aktive, 3 vjet pas dorëheqjes që pasoi prtestat antikorrupsion, të cilat nisën pas një zjarri në një klub nate, ku pati disa të vdekur.
Politikani 45-vjeçar, i larguar së fundmi nga Partia Socialdemokrate (PSD), ka njoftuar themelimin e një lëvizjeje të re politike proeuropiane.
Kjo lëvizje vjen disa javë pasi Ponta u lirua nga akuzat për korrupsion, bashkëpunim në evazion fiskal, pastrim parash etj., të cilat datojnë në vitet 2007-2011, kohë gjatë së cilës ai ka punuar si avokat.
Ai thotë se do ta rikthejë Rumaninë në rrugën proeuropiane dhe do të ndalojë qeverinë aktuale të ndjekë të njëjtat politika si ato të Orbanit në Hungari.
Ponta e përjashton mundësinë e një aleance me ish-partinë e tij, PSD, përsa kohë lidershipi i saj nuk ndryshon.
Ish-kryeministri thotë se disa deputetë po i bashkohen partisë së tij të re, Pro Rumania.
Ai tha se e mbështet luftën antikorrupsion, por refuzon kryeprokuroen Laura Kovesi, të cilën e konsideron të politizuar.



