Fronti Kombëtar i ekstremit të djathtë në Francë ka konfirmuar 27-vjeçarin Jordan Bardella si zëvendësuesin e Marine Le Pen si kryetar të partisë.
Le Pen do të fokusohet në drejtimin e grupit të partisë në parlament, pasi ajo mori 89 vende në Asamblenë Kombëtare në fillim të këtij viti.
Kjo shënon herën e parë në historinë e saj 50-vjeçare që partia kryesore e ekstremit të djathtë nuk është udhëhequr nga një “Le Pen”. Por rotacioni në drejtim nuk ndryshon linjën kryesore të partisë.
Marine Le Pen mbetet burimi i fuqisë reale dhe ajo është ende kandidatja e mundshme në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në 2027. Në kongresin e zhvilluar të shtunën në parti, Le Pen premtoi se nuk po zhduket nga politika.
"Unë nuk po largohem nga Fronti Kombëtar për të bërë pushime. Do të jem atje ku vendi ka nevojë për mua," tha ajo në kongresin e partisë.
I rritur në një familje të varfër me origjinë italiane në periferi të Parisit, Bardella iu bashkua ekstremit të djathtë si adoleshent dhe u ngjit shpejt në krye të partisë, duke u bërë presidenti i saj në detyrë vitin e kaluar. Ai drejtoi fushatën e suksesshme të zgjedhjeve evropiane të Frontit Kombëtar në 2019-ën, dhe që atëherë ka impresionuar edhe armiqtë e tij me këmbënguljen e tij në debate.
Ai shihet si besnik i zonjës Le Pen, e cila së fundmi do të deklaronte për agjencinë e lajmeve AFP se ai është një "kandidat i vazhdimësisë me synimin për të ndërtuar mbi trashëgiminë e pabesueshme që Marine po dorëzon".
Ngjitja e Bardellas në udhëheqjen e lartë të partisë konsiderohet si pjesë e përpjekjeve që Fronti Kombëtar të zbusë imazhin e ashpër të Le Pen dhe të tërhiqen votues të rinj.
Ashtu si Marine Le Pen, edhe Bardellas i pëlqen ta portretizojë veten si nacionalist i ri që ka pak të përbashkëta me racizmin dhe antisemitizmin e paraardhësit të partisë në Frontin Kombëtar.
Megjithatë, kritikët thonë se këto ndjenja ende ekzistojnë brenda partisë.



