Gjermania planifikon të përqendrojë përpjekjet e saj në sigurimin e forcave ukrainase me artileri, municione dhe sisteme të mbrojtjes ajrore, tha kancelari Olaf Scholz të mërkurën pas një takimi me dyer të mbyllura të kabinetit qeverisës. Berlini dëshiron që armët që i dërgon Kievit të jenë "menjëherë efektive", tha ai, duke shtuar se shumica e gjermanëve mbështesin politikën "e peshuar me kujdes" të qeverisë për Ukrainën.
"E vërteta është se Gjermania është furnizuesi i dytë më i madh me armë për Ukrainën pas SHBA-së”, u tha Scholz gazetarëve në një konferencë të përbashkët shtypi të mbajtur së bashku me liderët e koalicionit qeverisës. Ai më pas renditi armët që Berlini i kishte ofruar tashmë Kievit, duke përfshirë tanke, sisteme të mbrojtjes ajrore si IRIS-T dhe Patriotët e prodhuar nga SHBA, duke shtuar se ai gjithmonë kërkon të dërgojë armë që mund të bëjnë ndryshim në fushën e betejës.
Gjermania planifikon të fokusohet në “artilerinë, municionin dhe mbrojtjen ajrore”, tha kancelari kur u pyet se çfarë lloje armësh planifikon të dërgojë Gjermania në Kiev. Scholz nuk konfimroi nëse do të jenë pjesë e armëve të dërguara edhe
raketat me rreze të gjatë Taurus. Megjithatë këto të fundit nuk u përmendën në fjalimin e tij.
"Shumica e qytetarëve... pajtohen me politikën e Qeverisë Federale" për të ndihmuar Kievin, tha Scholz. "Çdo vendim për ofrimin e ndihmës për Ukrainën është shumë i vështirë", shpjegoi Scholz, duke shtuar se kabineti i tij "nuk merr vendime momentale" por vepron vetëm kur beson se "ka diçka për të thënë dhe për të bërë".
“Kjo është arsyeja pse ka ende shumë mbështetje për politikën e ndihmës për Ukrainën jo vetëm financiarisht, por edhe me armë”, shtoi kancelari.



