Tensionet midis Izraelit dhe Iranit vazhdojnë të përshkallëzohen, me të dyja palët duke nisur sulme të ndërsjella gjatë natës.
Dhjetë persona kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve raketore iraniane në Izrael, sipas autoriteteve lokale, raporton BBC news.
Policia ka raportuar se gjashtë viktima u regjistruan në qytetin Bat Yam, i cili ndodhet pak më në jug të Tel Avivit, përfshirë dy fëmijë. Shtatë persona janë ende të zhdukur dhe shërbimet e emergjencës po kërkojnë në rrënojat e ndërtesave të shkatërruara. Po ashtu, katër persona kanë humbur jetën në sulmet që goditën qytetin Tamra, një qytet arab në veri të Izraelit.
Irani ka goditur me raketa Izraelin në rajonet qendrore dhe veriore, ndërkohë që ushtria izraelite ka konfirmuar se ka kryer një numër sulmesh ndaj infrastrukturës bërthamore të Iranit.
Ministria e Naftës e Teheranit ka njoftuar se depoja e naftës Shahran në kryeqytet u godit nga sulmet ajrore izraelite. Pamjet që qarkulluan në rrjetet sociale treguan shpërthime të fuqishme në zonë. Agjencia iraniane e lajmeve "Tasnim" gjithashtu raportoi se selia e Ministrisë së Mbrojtjes në Teheran ishte prekur nga një sulm izraelit.
Në reagim, Teherani ka deklaruar se ka goditur struktura të furnizimit me karburant të avionëve luftarakë izraelitë. Garda e Revolucionit Islamik e Iranit njoftoi se raketat iraniane kanë goditur impiantet që përdoren për prodhimin e karburantit për aeroplanët izraelitë.
Ndërkohë, për natën e dytë radhazi, sirenat alarmuese u dëgjuan në të gjithë Izraelin, dhe mbrojtja ajrore izraelite po përpiqej të ndalte raketat iraniane. Në qytetin Tamra, që është kryesisht palestinez, një shtëpi u shemb pjesërisht pas një goditjeje, dhe më vonë, në një valë të dytë sulmesh, një ndërtesë në Bat Yam u dëmtua rëndë. Ekipet e emergjencës ende po kërkojnë për të zhdukurit.
Në Iran, sulmet ajrore izraelite vazhduan, duke përfshirë goditjen e selisë së Ministrisë së Mbrojtjes në Teheran dhe objekte që Izraeli thotë se janë të lidhura me programin bërthamor të Iranit, përfshirë një depo nafte. Ky ishte sulmi i parë ndaj infrastrukturës energjetike të Iranit.
Ndërkohë, rebelët Huthi të mbështetur nga Irani në Jemen kanë njoftuar fillimin e një "operacioni ushtarak" për të sulmuar objektiva të ndjeshëm izraelitë. Houthitë, të mbështetur nga Irani, kanë intensifikuar sulmet ndaj Izraelit pas fillimit të luftës në Gaza në tetor 2023. Izraeli ka kundërpërgjigjur duke goditur pozita të kontrolluara nga Huthitë në Jemen.
Zëdhënësi i Huthëve ka deklaruar se sulmi ndaj Izraelit ishte "i koordinuar" me Iranin, duke shtuar se operacioni ka pasur për qëllim "objektiva të ndjeshëm të armikut izraelit".
Në një tjetër zhvillim, Presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka kërcënuar me një përgjigje "më të ashpër" nëse Izraeli nuk tërhiqet. Nga ana tjetër, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shkruar në rrjetet sociale se Shtetet e Bashkuara nuk kishin lidhje me sulmet ndaj Iranit, duke shtuar se mund të arrihet një marrëveshje ndërmjet Iranit dhe Izraelit.



