
Shkon në 133 persona numri i personave të vrarë në sulmin terrorist në Rusi, më të rëndin në vite, ndërsa persona të armatosur hapën zjarr dhe shpërthyen eksplozivë në një sallë koncertesh jashtë Moskës.
“Gjatë pastrimit të rrënojave në sallën e koncerteve Crocus City Hall, numri i të vdekurve si pasojë e sulmit terrorist u rrit në 133 persona. Puna e kërkimit vazhdon”, tha Komiteti në një postim të shkurtër në Telegram.
Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë për sulmin e të premtes, ndërsa ka pretenduar se pjesëtarët e saj kishin arritur të iknin nga vendi. Një zyrtar amerikan ka thënë se inteligjenca ka konfirmuar pretendimet e IS-it, raportoi The Guardian.
Fotografitë e videot nga vendi i ngjarjes e kanë shfaqur objektin në flakë e viktimat që iknin në panik. Zyrtarët kanë thënë se pesë fëmijë ishin në mesin e viktimave.
Në fillim të muajit, shtetet perëndimore në krye me SHBA-në kishin lëshuar paralajmërim rreziku dhe u kishin thënë qytetarëve të tyre të mos merrnin pjesë në tubime në Rusi.
Më 8 mars, Ambasada amerikane pati shkruar se “po monitoron raporte se ekstremistë kanë plane që shënjestrojnë tubime në Moskë, përfshirë koncertet, dhe shtetasit amerikanë duhet të shmangin tubimet e mëdha gjatë 48 orëve”.
Sulmi ishte nga ata më të rëndët në Rusi që nga viti 2004 kur nga një sulm u vranë 334 persona, përfshirë 186 fëmijë.



