I sapozgjedhur në postin e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, më shumë se për çdo gjë tjetër po komentohet për moshën e bashkëshortes. Shumë pikëpyetje janë hedhur nëse ka dashuri mes tij dhe gruas 24 vjet më të madhe që i qëndron në krah.
Madje, disa shkojnë edhe më tej saqë kanë hedhur hipotezën se Macron e mban në krah 64-vjeçaren Brigitte Trogneux për të fshehur homoseksualitetin e tij.
Në një prononcim për “Le Parisien”, Macron është shprehur se nëse gruaja e tij do të ishte më e re se ai vetë, askush nuk do ta vinte në dyshim dashurinë e tij për të.
“Nëse unë do të isha 20 vjet më i madh se ajo, askush nuk do të mendonte qoftë për një sekondë të vetme se unë nuk do të isha një partner i mirë”, ka thënë presidenti 39-vjeçar.
“Pikërisht sepse ajo është 20 vjet më e madhe se unë shumë njerëz thonë se “kjo nuk mund të jetë një marrëdhënie e vërtetë”, ka shtuar Macron.
Ai është shprehur se komentet mbi lidhjen e tij me të shoqen janë rezultat i misogjinisë dhe koncepteve të shoqërisë tradicionale homogjene.
Macron e njohu të shoqen kur ishte vetëm 15 vjeç. Ai ishte nxënës në shkollë të mesme, ndërsa ajo mësuesja e tij e dramës. / The Independent / G.S. /



