
Nënkryetari i LSI-së dhe njëri prej dy përfaqësuesve të opozitës së bashkuar në Këshilli Politik, Petrit Vasili, thotë se maxhoranca po kërkon të imponohet. Në një intervistë në studion e lajmeve në TvT, Vasili akuzoi PS-në se po synon ta kthejë këshillin në një organ që thjesht firmos atë që i vihet përpara.
“PS ka logjikën e imponimit të njëanshëm, izolimit nga faktori ndërkombëtar dhe faktit të kryer. Çdo vendim i Këshillit Politik është vendosur të miratohet pa ndryshime. Në rast se ky konsensualitet nuk do të ndodhë, Këshilli Politik minohet me qëllim nga PS. Ne kemi kërkuar ndihmën e OSBE-së, por PS kërkon ta kthejë këshillin në një noter”, tha ai.
Lidhur me qasjen e maxhorancës për listat e hapura, Vasili tha se nuk sjell asgjë të re, por synon t’u japë mundësi zgjedhjeje atyre që do kryetari i partisë.
“Është turp i listave të mbyllura, nuk është i listave të hapura. Arsyeja është e thjeshtë. Lista sërish bëhet nga kryetari i partisë. Ka mundësi zero që i fundit të listës së fituesve mund të lëvizë nëse ka disa mijëra vota më shumë se mesatarja e partisë. U jepet shqiptarëve vetëm një mundësi për të zgjedhur. Në 35 kandidatë i jepet mundësia vetëm njërit. Edi Rama do të garantojë klientët e tij në qeveri”, tha ai.



