
Kryeministri Mark Carney ka thënë se Kanadaja planifikon të njohë shtetin palestinez në shtator, duke u bërë vendi i tretë i G7 që bën një njoftim të tillë ditët e fundit.
Carney tha se ky veprim varet nga reformat demokratike, përfshirë mbajtjen e zgjedhjeve nga Autoriteti Palestinez vitin e ardhshëm pa Hamasin.
Komentet e tij vijnë një ditë pasi Britania e Madhe njoftoi se do të njihte një shtet palestinez në shtator nëse Izraeli nuk pranonte një armëpushim dhe kushte të tjera dhe një javë pasi Franca zbuloi një plan të ngjashëm.
Ministria e Jashtme e Izraelit e hodhi poshtë njoftimin e Kanadasë, duke e quajtur atë "një shpërblim për Hamasin". Shumica e vendeve, 147 nga 193 shtetet anëtare të OKB-së e njohin zyrtarisht shtetin palestinez.
Carney tha se Kanadaja do ta njohë zyrtarisht shtetin e Palestinës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së që do të mbahet së shpejti.
Ai përmendi zgjerimin e vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, përkeqësimin e situatës humanitare në Gaza dhe sulmet e 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit nga Hamasi si arsye për ndryshimin dramatik të politikës së jashtme të Kanadasë.
"Niveli i vuajtjeve njerëzore në Gaza është i patolerueshëm dhe po përkeqësohet me shpejtësi", u tha Carney gazetarëve të mërkurën.



