
Është publikuar vendimi i Këshillit Evropian sa i përket procesit të hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Vendet e Bashkimit Europian kanë vendosur sot që çështja e zgjerimit të rikthehet për diskutim përpara samitit mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor në maj 2020.
Në dokumentin e publikuar nga Brukseli raportohet se, KE do t’i rikthehet çështjes së zgjerimit përpara samitit BE-Ballkan Perëndimor, i cili do të mbahet në Zagreb në majin e vitit 2020.
Liderët e Bashkimit Evropian kanë zhvilluar një debat të gjatë deri në orët e para të mëngjesit të së premtes, duke mos arritur në një marrëveshje.
Dokumenti final i samitit të liderëve të Bashkimit Europian, mbajtur në Bruksel vjen pas dy ditësh diskutime të forta në lidhje me zgjerimin, ku pjesa më e madhe e vendeve kanë qenë pro hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.



