Mbahet ceremonia e diplomimit të rekrutëve të FSK-së nga radhët e komunitetit joshumicë.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po merr pjesë në këtë ceremoni ka thënë se është i lumtur që është i pranishëm në këtë ceremoni.
Presidenti Hashim Thaçi ju ka drejtuar ushtarëve të FSK-së dhe të pranishmëve duke përgëzuar për diplomim rekrutët.
Ai tha se këtë ceremoni e bën më madhështor fakti se po diplomojnë rekrutë të komuniteteve, transmeton Zëri.
“Institucionit që po iu bashkëngjitni është institucioni më demokrat, multietnik. Në përputhje me rekomandimet e sektorit të sigurisë po punojmë të përfundohet transformimi i FSK-së në ushtri. Askush në Kosovë, në rajon apo më gjerë nuk duhet të shqetësohet për këtë proces të natyrshëm dhe të suksesshëm”, thekson Thaçi.
Presidenti Thaçi tutje ka thënë se sot pjesëtarët e FSK-së me krenari po përfaqësojnë standardet e larta të kësaj force.
Ai ka thënë se FSK-ja meriton duartrokitje të fuqishme. “Prandaj ju meritoni duartrokitje të fuqishme sepse me këto rezultate ju na bëni të ndihemi krenar çdo ditë me ju.
Transformimi i FSK-së është një proces që ka kaluar me hapa të ndryshme por me qëllim të qartë për të gjithë qytetarët e saj pa dallim. Do të hedhim hapa të plotë bashkë me aleatët tanë ndërkombëtarë. Përbërja multietnike është mesazhi më i mirë sesi duhet të integrohen pakicat. Pra përbërja multietnike e FSK-së. Jam krenar për arritjet dhe sukseset tuaja”, tha Thaçi.
Sipas tij, transformimi i FSK-së është proces që ka kaluar në faza të mundimshme, por gjithmonë drejt një qëllimi të qartë.
Presidenti tha se është arritur në hapat finalë për formimin e ushtrisë dhe këta hapa ai tha se do t’i hedhin në koordinim të plotë me aleatët ndërkombëtarë.



