
Në konferencën e fundvitit, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani tha se objektivi për tu anëtarësuar në Union duhet të jetë transparent, dhe jo i varur nga problemet dypalëshe mes shteteve, duke nënkuptuar këtu vetot që Tirana ka patur më herët nga Greqia, apo dhe Bullgaria e Franca më parë.
Shqipëria ka një mundësi për të shprehur potencialin e vet për të qenë sa më shpejtë një vend anëtar i BE. Ne së bashku me BE jemi të qartë në afate sepse s’kemi gjëra që çalojmë, jemi vend i aftë për të plotësuar ato detyrime që na takojnë. Objektivi ynë është i qartë për 2025, synojmë të hapim të gjithë grup-kapitujt dhe të mbyllim sa të mundim nga kapitujt të cilët do të jenë të hapur deri në fund të vitit. Në fund të vitit 2027 synojmë të mbyllim të gjitha negociata teknike dhe të jemi gati për anëtarësimin në BE në vitin 2030. Ky është një qëllim ambicioz”
I pyetur për Greqinë, marrëveshjet e mbetura pezull me fqinjët si pensionet e emigrantëve shqiptarë apo deti, Hasani tha se deri tani me Athinën ka patur mirëkuptim, por duhet patur kujdes në çdo hap, përfshirë edhe të drejtat e minoritetit grek.
Kemi pasur një mirëkuptimin dhe angazhim shumë të mirë e serioz me republikën e Greqisë në rastin konkret. Është e rëndësishme të mos jetë përpjekje mikrofoni por punë tavoline, duke u futur në të gjithë detajet e nevojshme por dhe duke u kujdesur që detajet të mos prishin të tërën.
Për tu ndalur tek dialogu Kosovë-Serbi, edhe pse kryediplomati fillimisht tha se mbështet dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Europian, e konsideroi realist propozimin e kryeministrit Rama që Prishtina të ngrijë dialogun me Beogradin e të plotësojë çdo kërkesë të Brukselit pa kushte.
Në këtë fazë kaq vendimtare për rrugën e saj të integrimit evropian dhe euroatlantik Kosova duhet ta ngrijë, ta ftohë siç thoni ju, pa afat dialogun e saj dypalësh me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin e saj verior duhet ta synojë nëpërmjet dialogut dypalësh me Bashkimin Evropian, duke e këputur kërthizën e reciprocitetit nacionalist me Serbinë dhe duke e lidhur kërthizën e reciprocitetit europianist me Bashkimin Evropian. E thënë ndryshe, Kosova mund t’ia jap familjes evropiane dhe Aleancës së Atlantikut të Veriut provën e padiskutueshme të vullnetit dhe përkatësisë së vet në gjirin e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, duke i përmbushur unilateralisht të gjitha kushtet e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë
Në politikën ndërkombëtare, Hasani tha se Shqipëria qëndron në krah të Ukrainës kundër agresionit të Rusisë si dhe një zgjidhjeje paqësore afatgjatë në Gaza, ndërsa shërbimi diplomatik shqiptar do të shtrihet në vitin 2025 edhe në Indi, Bosnje-Herzegovinë, Indonezi e Kenia me ambasada të reja.



