
Kostoja mesatare e punës në Shqipëri për një orë është rritur gati 12% në katër vite të vlerësuara nga INSTAT. Anketa e publikuar së fundi nga Instituti i Statistikave, tregon se kostoja mesatare për një ore pune ishte 351 lekë në vitin 2016. Instituti i Statistikave pa publikuar rezultatet e anketës së zhvilluar pranë 2980 ndërmarrjeve me mbi 10 të punësuar në të gjithë vendin, duke iu referuar bilanceve të vitit 2016.
Krahasuar me rezultatet e anketës së vitit 2012, kjo kosto është rritur me 11.8%, ku ndikimi më i madh është ndjerë te ndërmarrjet me mbi 1 mijë të punësuar, ndërsa ai më i vogël tek bizneset nga 50-249 punonjës. Nga rezultatet e publikuara vihet re një diferencë e madhe mes sektorëve, ku kostoja për orë pune mund të variojë deri në trefish. Sipas tabelave të paraqitura nga INSTAT, sipërmarrjet me koston më të lartë janë në sektorin bankar dhe të sigurimeve, ku kostoja e punës në një orë është 700 lekë. Kjo ndiqet nga sektori i Informacionit dhe Komunikacionit (521 lekë/orë) dhe Energji elektrike, furnizimit me gaz, avull dhe ajër të kondicionuar (493 lekë/orë).



