
Në studion e programit të mëngjesit “Zgjohu me MCN” erdhi historia interesante e Suzen Amitit, sipërmarrëse e lindur në Australi, por me rrënjë shqiptare.
Zëri i prejardhjes e thirri të kthehej në Shqipëri, në Bilisht, vendlindjen e prindërve të saj.
Ajo rrëfeu rrugëtimin nga jetesa në një komunitet tërësisht shqiptar në Australi, ku u martua vetëm 19 vjeçe, deri te ndarja që i hapi një rrugë të re personale dhe profesionale.
Erdha për gjashtë muaj dhe më pas nuk u ktheva më, edhe pse kam lindur në Australi.
Familja ime është larguar që në vitin 1939: gjyshi u largua nga Korça, ndërsa babai lindi në Jugosllavi dhe shkoi në Australi 16 vjeç, pa u kthyer më,.
Kam lindur dhe jam rritur në Australi, në një komunitet tërësisht shqiptarësh. Çdo javë kishim dasma, qëndronim bashkë dhe mbanim traditat. Kisha parë vetëm foto me dele dhe fshatra, ndaj mendoja se e gjithë Shqipëria ishte kështu.
Shikoja YouTube dhe pashë se vendi ishte shumë i zhvilluar. Kur mbërrita në Tiranë, pashë një qytet plot jetë dhe shumë të bukur.
Unë jam martuar që 19 vjeçe me një shqiptar atje. Kemi qenë në një festë Bajrami, u takuam, dolëm për kafe dhe më pas u fejuam.
Dasmën e bëmë pas 15 ditësh. Atje ishim rritur me idenë se duhej të rrinim vetëm me shqiptarë. Jetova me vjehrrin dhe vjehrrën; më thoshin se duhej të martohesha tani, se nuk duhet të shkoja në studime. Bëja gjithçka siç më thonin.
Po flasim për 20 vite më parë. Tani femrat shkollohen, janë shkëputur nga komuniteti.
Suzeni rrëfeu momentin kur vendosi të ndahej
Kur ‘u rrita’ dhe mbusha 30 vjeç, thashë: duhet të ndahemi, sepse nuk bëhet kështu.
Një ditë doja të dilja me kushërirat, dhe mendova se ky është momenti për të ndërruar jetën. Nuk ishte jeta që doja. Vendosa të bëj jetën time, sipas meje. Tani kanë kaluar 11 vjet nga ndarja.
Në fillim nuk pata shumë përkrahje, por më vonë familja më mbështeti. Nisa të udhëtoja dhe të zbuloja botën. Shkova në Neë York, në Shqipëri. Fillova shkollën që doja 10 vite më parë, për ‘hotel Management, sic e doja. Kur erdha në Tiranë, mora në telefon mamin. Erdhi vera, dola me një fustan të gjatë dhe pashë që të gjithë ishin modernë, me tatuazhe, me stil krejt ndryshe. I thashë mamit: ‘Më keni gënjyer, nuk është Shqipëria siç ma keni treguar!’”
Sot, Suzeni jeton dhe punon në Tiranë dhe ka gjetur veten dhe dashurinë këtu.
Kam hapur një biznes me prona, një ‘real estate’, dhe jam fokusuar këtu. Tashmë kam gjetur edhe dashurinë, një djalë nga Shkodra. Është njeri shumë i mirë.
Edhe pse kisha mendimin se burrat shqiptarë janë pak të ashpër, ai ma ndryshoi mendjen.
Kemi tetë muaj bashkë, bashkëjetojmë dhe punojmë bashkë. Kam shumë më tepër qetësi dhe dashuri.



