Reshjet e dendura të dëborës, ngricat dhe prurjet e larta të lumenjve kanë krijuar problematika në disa qarqe të Shqipërisë, me situatën më të rënduar në qarkun Gjirokastër.
Në Bashkinë Gjirokastër raportohet prezencë dëbore në njësinë administrative Picar, ndërsa lumi Drino në aksin Gjirokastër–Tepelenë i është afruar trasesë së rrugës, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për forcimin e argjinaturës.
Probleme ka edhe në disa fshatra të Odries, Lunxhërisë dhe Zagorisë, ku po punohet për hapjen e akseve rrugore dhe riparimin e një ure në aksin Krinë–Tranoshisht–Saraqinishtë.
Në Bashkinë Dropull, ura e Glinës mbetet problematike, ndërsa po punohet për lirimin e akseve Pogon–Dropull dhe Zagori–Libohovë, të bllokuara nga dëbora.
I bllokuar mbetet edhe aksi Përmet–Dogana e Tre Urave, si dhe disa fshatra në njësinë administrative Frashër.
Në Memaliaj ka përmbytje të tokave bujqësore nga lumi Vjosë, ndërsa në Tepelenë qarkullimi në aksin Tepelenë–Gjirokastër kryhet vetëm me një korsi në zonën “Shkalla e Zezë”.
Qarku Lezhë është përfshirë nga reshje dëbore edhe në zonat e ulëta, përfshirë qytetin e Lezhës, ndërsa është përfunduar riparimi i argjinaturës së dëmtuar në lumin Drojë.
Në qarkun Vlorë raportohet përmirësim i situatës së prurjeve në lumin Vjosë, megjithëse nënkalimi në fshatin Bishan mbetet i bllokuar, pa banesa të përmbytura.
Në qarkun Elbasan, dëbora dhe ngricat kanë bllokuar disa akse rurale në zonat malore të bashkive Elbasan dhe Peqin, ndërsa në Dibër situata mbetet problematike me akull, rrëshqitje dherash dhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa njësi administrative.
Ekipet e OSHEE dhe policia janë në terren për rikthimin e normalitetit dhe orientimin e qarkullimit.



