
Harta e re gjyqësore, e kundërshtuar gjerësisht nga avokatët, është konsultuar me këta të fundit, sipas ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja. Në një prononcim për ATSH, Manja tha se sugjerimet e avokatëve janë përfshirë në draftin e prezantuar për miratim në qeveri.
“Avokatët janë grup interesi i rëndësishëm që garantojnë mbarëvajtjen e procesit të rregullt ligjor në zinxhirin e sistemit të drejtësisë dhe si të tillë janë konsultuar me draftin e hartës gjyqësore gjatë fazës së konsultimit publik. Janë marrë në konsideratë disa sugjerime me vlerë që kanë ardhur edhe nga avokatia, të cilat janë reflektuar në draft, por riorganizimi gjyqësor është përgjegjësi e Këshillit të Lartë Gjyqësor si qeveri e gjyqësorit dhe e Ministrisë së Drejtësisë”, tha Manja.
Manja i fton avokatët të kontribuojnë në zbatimin e hartës së re gjyqësore dhe të heqin dorë nga bojkoti.
“Ajo që ne presim nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe çdo avokat është që të kontribuojnë në zbatimin e hartës së re gjyqësore pasi ajo të miratohet në Qeveri dhe të hyjë në fuqi. Bojkotimi i seancave gjyqësore nuk është zgjidhja e duhur dhe nuk i shërben askujt, as sistemit të drejtësisë, as avokatëve dhe aq më pak interesave të qytetarëve që mbrohen prej tyre. Si njerëz të ligjit, unë besoj se avokatët do të reflektojnë në vendimin e tyre pasi zbatimi i ligjit është emëruesi i përbashkët i yni dhe që i shërben drejtësisë dhe interesit publik”, shprehet Manja.
Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi të shtunën hartën e re gjyqësore, në të cilën parashikohet një reduktim i numrit të gjykatave në vend. Harta e re kundërshtohet nga Dhoma e Avokatisë dhe opozita.
Harta e re parashikon 13 gjykata nga 22 që ishin më parë, ndërsa nga gjashtë gjykata administrative të shkallës së parë do të mbeten dy, një në Tiranë dhe një në Lushnjë.



