
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, për situatën në Veri të Kosovës thotë se po bëhen 17 ditë nga kur strukturat kriminale të dirigjuara nga Beogradi zyrtar kanë bllokuar në mënyrë të paligjshme disa prej akseve nacionale kufitare që lidhin me Serbinë.
Në një lidhje me studion e lajmeve në MCN Tv, ai deklaroi se një gjë e tillë është bërë me urdhër nga Beogradi dhe se ditët e fundit situata është tensionuar nga sulmi që është bërë ndaj patrullës së KFOR.
Sipas tij, Serbia po tenton të destablizojë veriun e Kosovës dhe nëpërmjet kësaj edhe Ballkanin, pasi tha se është në pozita të njëjta me Rusinë.
Policia e Kosovës i ka kapacitetet dhe është e përgatitur për të garantuar sundimin e ligjit. Nuk mund të ketë dialog me bandat kriminale të armatosura që cenojnë lëvizjen e lirë.
Bëhet fjalë për pezullimin e sundimit të ligjit. Nuk mund të ketë dialog për lirimin e një të ndaluari, të cilit gjykata i ka caktuar 30 ditë paraburgim.
Serbia po përpiqet të minojë dialogun real politik, që mbështetet në planin franko-gjerman.
Serbia po përpiqet të largohet nga dialogu dhe me strukturat kriminale në Veri, tenton që ta bëjë të pamundur dialogun.
Kosova është e gatshme për dialog si palë të barabarta për normalizimin e plotë të marrëdhënies.
Në pjesën veriore të Kosovës kemi përballje me vendosmëri të Kosovës dhe bandave kriminale të Kosovës.
Rrustemi shtoi ndër të tjera se Policia e Kosovës i ka të gjitha kapacitetet për t’i hequr barrikadat, pasi tha se këto barrikada më së shumti kanë bllokuar serbët lokalë që jetojnë atje dhe në një farë mënyre janë viktima të tërthorta.
Ai vijoi qëndrimin e tij duke ndarë bindjen se çështja e garantimit të lëvizjes së lirë është e padiskutueshme dhe gjithmonë KFOR i ka dhënë kohë.
Serbia ka ndryshuar disa herë kërkesat përgjatë këtyre 17 ditëve, ata dolën nga institucionet pas vendimit për targat, pastaj Kosova arriti dakordësimin për pezullimin e gjobave për konvertimin e targave ilegale.
Më tej Kosova mori vendimin për shtyrjen e zgjedhjeve lokale në prill të vitit të ardhshëm. Serbia e dëshpëruar nga lëvizjet e Kosovës, urdhëroi këtë lëvizje për bllokimin e rrugëve.
E kanë të qartë që nuk e justifikojnë dot veprimin e tyre dhe po manifestohet një lloj pafuqie e këtyre strukturave dhe nga vetë Beogradit.
Kjo po e shpërfaq të vërtetën e Beogradit, që nuk është për dialog real politik, por për destabilizimin e Veriut dhe më tej dhe rajonit.
I pyetur se në këtë situatë që ndodhet Kosova, çfarë shansesh ka dialogu të rifillojë bazuar mbi draftin e fundit të propozuar nga Bashkimi Europian, deputeti i Vetëvendosjes tha se Kosova është e interesuar për marrëveshje për normalizim për njohje reciproke, por dialogu kërkon dy palë dhe marrëveshja kërkon dy palë.
Ne po përgatitemi për dialog dhe marrëveshje, por nuk mund të pengojmë funksionimin e Kosovës.
Kosova është e vendosur në sundimin e ligjit në gjithë territorit, por është e gatshme për dialog.
Dialogu ka ende mundësi dhe marrëveshja ka ende alternativë, pro Beogradi duhet të tregojë konstruktivitet dhe vullnet.
Procesi për arritjen e marrëveshjes, do të duhet të relaksonte palët.
Sa më afër marrëveshjes finale, aq më agresive po bëhet Serbia, me kthimin e ushtrisë, me bërjen e propagandës, apo me urdhrin për ushtrinë për afrimin në kufi.
Kosova është e vendosur për të garantuar shtrirje të sundimit të ligjit dhe Kushtetutës në çdo cep të Kosovës dhe mbi bazën e fqinjësisë së mirë.
Raporti me Serbinë kërkon që spektri politik i Kosovës të jetë unik dhe të kemi një qëndrim të përbashkët, është i mundur.
Madje opozita në Kosovë ka kërkesa më të vogla nga procesi i dialogut, se sa vetë mazhoranca. Mbase duhet që opozita të kishte kërkesa maksimale, si një lloj presioni ndaj qeverisë.
Por për fat të keq, mbase prej trashëgimisë së dialogut, kanë kërkesa më të ulëta se qeveria.
Ka pasur propozim nga të dyja palët se plani franko-gjerman është më lehtësues për nisjen e dialogut.
Për Kosovën është ekzistenciale që të ketë njohje reciproke, në të kundërt nuk mund të kemi normalizim të plotë të marrëveshjes.



