Kryetari i Shoqatës së Turizmit, Zak Topuzi, ngre si shqetësim vijimin e kufizimeve prej Covid dhe rrezikun që i kanoset sektorit që ai drejton.
Duke folur për MCN TV, ai tha se pa me shqetësim deklaratën e zonjës Mira Rakacolli, për mos heqjen e masave kufizuese.
“Mbyllja në orën 23.00, çon në penalizimin e turizmit, bareve dhe restoranteve. Ky sektor është kthyer në një turn e gjysmë, ne duhet të shqetësohemi dhe të gjithë njëzëri do ti kërkonim zonjës Rakacolli të merrej një vendim i drejtë dhe i qartë. Mjekësia kudo, tani mendon se nuk ka më nevojë për masa kufizuese dhe green pass, nuk është më e nevojshme. Problemi nuk është më mjekësor por politik. Kërkojmë që autoritetet të marrin masat dhe të shpëtojnë këtë sektor në rrezik”, u shpreh Topuzi.
Ai përmendi disa shtete të cilat kanë hequr dhe po heqin masat kufizuese dhe kërkoi që një gjë e tillë të bëhet edhe tek ne, duke qenë se po afron nisja e sezonit turistik.
Sipas tij, Shqipëria ka ndjekur politikën e gabuar duke kufizuar dhe duke penguar rininë për t’u vaksinuar, pasi mbyllja bëhet njëlloj si për të vaksinuarit dhe të pavaksinuarit.



