
Trupi i copëtuar i biznesmenit gjerman 62-vjeçar Hans-Peter Mack, i cili është zhdukur prej një jave, është gjetur në frigoriferin e një shtëpie në jug të Tajlandës mbrëmjen e së hënës. Policia gjeti kokën, gjymtyrët dhe pjesën tjetër të trupit në qese të veçanta plastike. Pranë frigoriferit, kishte një sharrë elektrike dhe litarë, me siguri të përdorura për të prerë trupin e 62-vjeçarit. Hetuesit arritën të gjenin trupin duke përdorur pamjet e kamerave të sigurisë nga zona. Mack u pa për herë të fundit duke drejtuar makinën e tij Mercedes në Pattaya, një qytet bregdetar në Tajlandën lindore, sipas një njoftimi për personin e zhdukur të shpërndarë nga familja e tij e cila ofronte një shpërblim prej 3 milionë baht (128 mijë dollarë) për informacionin që çonte në gjetjen e tij. Mack jetonte në Pattaya me gruan e tij tajlandeze dhe punonte si ndërmjetës i pasurive të patundshme, sipas raporteve të mediave lokale. Ai kishte disa vite banor i Tajlandës. Makina e tij Mercedes E350 u gjet të dielën në parkingun e një godine në Nong Prue, një vendbanim i pasur i popullarizuar me të huajt në verilindje të Pattaya, në provincën e Chonburi. Lidhur me ngjarjen hetimet nga ana e autoriteteve janë në vijim.



