
Pas publikimit të falsifikimit të dokumenteve në media, ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri thotë se i është autoriteteve amerikane për verifikimin zyrtar të tyre. Ndërkohë Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar përmbylljen e fazës finale të konstatimit në terren, të objekteve që preken nga projekti i rehabilitimit të Unazës së Madhe, dhe statusin e tyre ligjor.
Pas publikimit të materialeve, ku tregohet falsifikimi I tyre ka reaguar ministri I Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri. Ky I fundit shkruan në facebook se I është drejtuar autoriteteve amerikane për verifikimin zyrtar të shqetësimit të bërë publik në media.
“Kompania në fjalë nuk ka marrë asnjë qindarkë nga Buxheti i Shtetit dhe garancia e saj financiare do të sekuestrohet, në rast se dokumentat e paraqitura prej tyre në garë nuk janë autentike. Në fillim-javën e ardhshme, presim përgjigjen e autoriteteve amerikane. Nëse përgjigja do të konfirmojë falsifikimin e dokumenteve nga kompania, atëherë padiskutim do të reagojmë menjëhere me zgjidhjen e njëanshme të kontratës dhe referimin e rastit pranë organeve të drejtësisë”, shkruan Gjiknuri.
Nga ana tjetër edhe prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet, dhe deri në përfundimin e tyre nuk do të ketë punime për projektin e “Unazës së Madhe”.
Ndërkohë 5 institucionet janë bërë bashkë dhe kanë përmbyllur fazën finale të konstatimit në terren të objekteve, që preken nga projekti i rehabilitimit të Unazës së Madhe të Tiranës, segmenti Pallati me Shigjeta - Sheshi Shqiponja dhe statusin e tyre ligjor nga ana dokumentare. Autoriteti Rrugor Shqiptar, ALUIZNI, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, IKMT dhe Bashkia Tiranë, shprehen se në përfundim të vlerësimit rezulton se numri total i objekteve që preken nga projekti në të tre lotet është 195. Prej tyre, 71 rezultojnë të jenë të pajisura me dokumentet e pronësisë, ndërsa 124 objekte janë pa dokumente pronësie , ndërkohë që numri i objekteve të skualifikuara nga ALUIZNI është 74, po ashtu për 59 objekte janë drejt shpronësimit. Autoriteti Rrugor njofton se dokumentacioni i përgatitur dhe gjithë procesi teknik do të monitorohen nga Njësitë Bashkiake përkatëse dhe IKMT-ja.



