Karla Bruni Sarkozi, ish-zonja e parë e Francës, është nën hetim nga prokuroria se dyshohet se ka ushtruar presion ndaj një dëshmitari për çështjen Sarkozi.

Bashkëshorti i saj, ish-presidenti Nikolas Sarkozi, është dënuar nga gjykata se ka marrë financime të paligjshme për fushatë zgjedhore nga Libia.
Ish-supermodelja 56-vjeçare akuzohet për fshehje provash. Ajo është liruar me kusht dhe i ndalohet të kontaktojë me persona të tjerë, me përjashtim të bashkëshortit të saj. Rasti është i vitit 2007 dhe dyshohet se Bruni ka ndikuar për të manipuluar dëshmitarin kryesor. Avokatët e saj nuk e kanë komentuar ngjarjen.
Hetuesit dyshojnë se disa njerëz të afërt me Sarkozinë kanë tentuar të manipulojnë biznesmenin franko-libanez Ziad Takidin për të tërhequr një deklaratë ku ai inkriminon ish-presidentin. Biznesmeni ka pohuar disa herë se është ndërmjetësi për një financim prej pesë milionë eurosh nga Kadafi tek Sarkozia. Por në vitin 2020, biznesmeni tërhoqi deklaratat e tij inkriminuese, duke ngritur dyshime për manipulim apo kërcënim ndaj tij.
Nikolas Sarkozi ka shërbyer si president i Francës nga viti 2007 deri në vitin 2012. Ai u dënua në shkurt nga apeli në Paris për financim të paligjshëm të fushatës duke u bërë presidenti i parë francez i dënuar me burg.



