Tymi nga zjarret në Kanada, i cili tashmë ka mbuluar pjesën më të madhe të SHBA-së dhe ka vendosur rreth 75 milionë njerëz nën alarmin e cilësisë së ajrit, ka arritur deri në Norvegji, sipas shkencëtarëve në atë vend. Gjatë ditëve të fundit, shtëllunga tymi janë shtrirë nga Kanadaja në Grenlandë, Islandë dhe kanë marrë rrugën për në Norvegji. Shkencëtarët në Institutin e Kërkimeve Klimatike dhe Mjedisore në Norvegji (NILU) kanë mundur të zbulojnë rritjen e tymit duke përdorur instrumente shumë të ndjeshme dhe më pas të konfirmojnë origjinën e tij duke përdorur modelimin e parashikimit. Njerëzit në Norvegji mund të jenë në gjendje të nuhasin dhe madje të vërejnë tymin si një mjegull të lehtë, por, ndryshe nga pjesët e SHBA-së që kanë parë ndotje të rrezikshme, ata nuk duhet të kenë ndikime shëndetësore, tha Nikolaos Evangeliou, një shkencëtar në NILU. “Tymi që udhëton nga distanca kaq të largëta arrijnë shumë të holluara”, tha ai për CNN. Gjatë ditëve në vijim, shtëllunga pritet të përhapet në të gjithë Evropën, por nuk ka gjasa që njerëzit të jenë në gjendje të nuhasin ose vërejnë tymin, tha Evangeliou. Nuk është e pazakontë që tymi i zjarreve të udhëtojë në distanca të largëta. “Tymi nga zjarret si ato në Kanada injektohet në lartësi të mëdha duke qëndruar në atmosferë më gjatë dhe në gjendje të udhëtojë në distanca të largëta,” tha ai. Në vitin 2020, tymi nga zjarret e Kalifornisë udhëtoi deri në Svalbard, një arkipelag norvegjez i vendosur thellë brenda Rrethit Arktik. Tymi sjell ndikime negative klimatike. Nivelet e blozës që vijnë nga zjarret kanadeze nuk pritet të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në shkrirjen e Arktikut, sepse ato janë shumë të holluara, tha Evangeliou. Ndërsa kriza klimatike intensifikohet, stinët e zjarreve pritet të rriten në ashpërsi, veçanërisht pasi thatësira dhe nxehtësia bëhen më të zakonshme dhe më të rënda.



