
NATO synon t'i ofrojë Ukrainës një seli të re ushtarake për të menaxhuar ndihmën dhe armët e dhuruara nga Perëndimi, në vend të një rruge drejt anëtarësimit, në samitin e bllokut në Uashington muajin e ardhshëm, ka raportuar New York Times.

Sipas zyrtarëve të SHBA-së dhe NATO-s, të cituar nga gazeta të mërkurën, selia e re do të garantonte Ukrainën për angazhimin afatgjatë të NATO-s për sigurinë e saj dhe do të shërbente si një "urë" që Kievi të bashkohet përfundimisht me bllokun ushtarak të udhëhequr nga SHBA në të ardhmen.
Administrata e Presidentit të SHBA Joe Biden dhe udhëheqja e NATO-s "dolën me idenë si një mënyrë për t'i dhënë diçka solide Kievit në samit, edhe pse ata thonë se nuk është koha e duhur që Ukraina të bashkohet", raportoi NYT.
Shpresa është se oferta do të "kënaq" liderin ukrainas Vladimir Zelensky, i cili e sheh anëtarësimin në NATO si një prioritet kryesor, duke çuar në "një samit më të qetë se sa ai i fundit, një vit më parë në Vilnius, Lituani, ku ai e bëri të qartë pakënaqësinë e tij kur Ukrainës nuk iu ofrua një afat kohor i vendosur për negociatat e anëtarësimit,” citohet në artikull.
Në atë kohë, Zelensky e kritikoi vendimin e NATO-s për të mos i dorëzuar një ftesë Ukrainës si "të pashembullt dhe absurd", duke këmbëngulur në një postim në rrjetet sociale se "pasiguria" për këtë çështje ishte një shenjë e "dobësisë" së bllokut . Komentet i lanë zyrtarët amerikanë "të zemëruar".



