Kjo e diel shënon ditën e fundit të zgjedhjeve për Parlamentin Europian.
360 milionë shtetas nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian me të drejtë votë kanë patur mundësi të zgjedhin përfaqësuesit e tyre përgjatë tre ditëve, në një maratonë që filloj me Holandën më 6 qershor, pasuar nga Irlanda më 7 qershor dhe më pas Letonia, Malta dhe Sllovakia më 8 qershor.
Republika Çeke dhe Italia votuan për dy ditë: përkatësisht 7-8 dhe 8-9 qershor.

Për herë të parë në Gjermani janë lejuar të votojnë edhe 16 vjeçarët.
Kjo ka rritur numrin e votuesve me të drejtë vote në këtë shtet nga rreth 61.5 milionë në vitin 2019 në rreth 65 milionë këtë vit.
Në total, mes mijëra kandidatëve do të zgjidhen 720 anëtarë të Parlamentit Evropian. Rezultatet e para të përbërjes së parlamentit të ri pritet të vijnë orët e fundit të së dielës.
Sipas sondazheve, Partia në pushtet “Fratelli d’Italia” e drejtuar nga Giorgia Meloni nuk duket të jetë e kërcënuar seriozisht nga partitë opozitare.
Megjithatë, këto zgjedhje evropiane në Itali konsiderohen si një garë vendimtare, e cila pritet të konfirmojë ose të përmbysë balancën e pushtetit që nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2022.
Partia “Vëllezërit e Italisë” e kryeministrit Giorgia Meloni, sipas sondazheve të fundit, siguron 27% të synimit të votave, Forza Italia, e themeluar nga Silvio Berlusconi, më 8 -9 % dhe Liga, e drejtuar nga Matteo Salvini, 8.7%.
Në Francë, Tubimi Kombëtar i Marine Le Pen synon të shtoj përfaqësimin në Parlament, nga 81 vende që ka patur në legjislaturën e fundit.
Sondazhet aty flasin një epërsi të madhe të partisë së ekstremit të djathtë ndaj partisë Rene të presidentit Emmanuel Macron.
Ndërkohë, në Hungari , partia Fidesz e Viktor Orban po përballet me një nga sfidat më të mëdha të sundimit të tij deri më tani për shkak të politikanit Peter Magyar dhe partisë së tij të qendrës së djathtë Tisza.
Gara më e madhe këtë të diel është në Gjermani , ku 96 nga 720 vendet e Parlamentit janë në lojë.
CDU/CSU e Von der Leyen pritet gjerësisht të fitojë dhe beteja më e madhe është për vendin e dytë, me socialdemokratët e kancelarit Olaf Scholz të sfiduar si nga partneri i tij i koalicionit, të Gjelbrit.
Belgët po votojnë gjithashtu në zgjedhjet federale dhe rajonale, si dhe në votimin evropian. Votimi në Belgjikë është i detyrueshëm dhe Princesha Eléonore 16-vjeçare hodhi votën e saj për zgjedhjet evropiane, së bashku me princeshën e kurorës Elisabeth dhe dy vëllezërit e tyre.
Në një vit zgjedhjesh kyçe, vota e BE-së është veçanërisht e rëndësishme, në një kontinent që dëshmon politikë të polarizuar dhe rritje të nacionalizmit.
Austriakët shkojnë sot në kutitë e votimit për zgjedhjet evropiane me Partinë Populiste të Lirisë së ekstremit të djathtë të Herbert Kickl që pret fitoren e saj të parë historike.
Austria zgjedh 20 eurodeputetë dhe ka 6.3 milionë votues të regjistruar.
Grupimi kryesor i qendrës së djathtë të Evropës pret rezultate historike nga këto zgjedhje.
Parlamenti Evropian është trupi i vetëm i Bashkimit Evropian që përfaqëson shtetasit e vendeve anëtare.
Funksioni i tij primar përfshin negocimin e ligjeve të BE-së me anëtarë të qeverive, që përfaqësohen prej Këshillit Evropian.
Parlamenti, po ashtu, miraton buxhetin e BE-së dhe voton për marrëveshjet ndërkombëtare, si dhe për zgjerimin e bllokut evropian.



